SPERTK paralajmëron për protestën e dytë, të enjten më 13 nëntor
BKT
Lajme

SPERTK paralajmëron për protestën e dytë, të enjten më 13 nëntor

RTKlive

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar se do të organizojë protestën e dytë me radhë të enjten, më 13 nëntor 2025, para objektit të RTK 1, me fillim nga ora 11:15.

Në komunikatën e lëshuar për media, SPERTK fton të gjithë punëtorët e RTK-së që të marrin pjesë në mënyrë masive, duke theksuar se kanë kaluar gati dy javë pa paga, ndërsa Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim për zgjidhjen e situatës.

Sindikata paralajmëron se, nëse edhe pas kësaj proteste nuk do të ketë reagim institucional, do të pasojë greva e përgjithshme.

“Ftojmë gjithashtu mediat që ta mbulojnë dhe ta mbështesin këtë protestë, e cila ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave ligjore dhe dinjitetit të punëtorëve të RTK-së”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga Kryesia e SPERTK-së.

Ndërkaq nesër, më 10 nëntor, dy sindikatat tjera të Radiotelevizionit të Kosovës, Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, kanë paralajmëruar protestë për shkak të mos-ekzekutimit të buxhetit të institucionit dhe vonesës së pagave mujore për muajin tetor.

Kujtojmë se në RTK ekzistojnë tri sindikata që përfaqësojnë punëtorët e transmetuesit publik: Sindikata e Pavarur e RTK-së; Shoqata Sindikale e Radio Kosovës; dhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së.


MË SHUME NGA Lajme