DnV: Raundi i dytë konfirmoi një proces zgjedhor demokratik
V.Th / RTKLive
Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe se qytetarët kanë votuar lirshëm, ndërsa procesi në qendrat e votimit është menaxhuar përgjithësisht në mënyrë të rregullt.
DnV thekson se përfundimi i suksesshëm i këtij raundi duhet të pasohet me transparencë dhe saktësi të plotë gjatë procesit të numërimit dhe publikimit të rezultateve. Organizata u ka bërë thirrje subjekteve politike që të presin publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ-ja, para se të shpallin fitoret, për të ruajtur qetësinë.
Një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me asistencë, që ka sjellë ulje të dukshme të rasteve të tilla krahasuar me raundin e parë. Megjithatë, ndryshimi i mënyrës së zbatimit të këtij rregulli nga KQZ-ja ka krijuar vështirësi për shumë qytetarë, sidomos të moshuar ose me probleme në shkrim-lexim, të cilët nuk kanë mundur të votojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar.
DnV ka vënë në dukje gjithashtu se angazhimi publik i kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve në disa komuna cenon perceptimin e neutralitetit institucional dhe bie ndesh me parimet e barazisë së garës, ndonëse nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.























