Zgjidhjet klimatike nga Finlanda – Nonii Sauna (Pjesa e shtatë)
Behare Bajraktari/RTK Green
Po afrohemi në një moment magjik, ai që në Kosovë e përjetojmë si mysafirë kur na gostisin me një gotë raki dhe një lugë reçel, përveç kafesë dhe çajit të zi. Por në Finlandë, përveç dashurisë për kafenë, sauna është thelbësore, pjesë e shpirtit dhe trashëgimisë së tyre. Thonë se pa finlandez nuk ka sauna, dhe pa sauna nuk ka finlandez.
Gjatë ditës, moti ishte i ngrohtë, ashtu si në Kosovë në fillim të tetorit, por pikërisht në ditën e saunës, ra shi me intensitet dhe u bë pak ftohtë, duke e bërë këtë eksperiencë edhe më të veçantë, veçanërisht buzë detit të Helsinkit.
Na priste një anije e vogël nga qyteti, për të na çuar në ishullin magjepsës Unisaari. U ulëm në anije, duke u mbajtur fort në krahet e saj nga të dyja anët, ndërsa kapiteni nis lundrimin përmes 2-3 kilometrave ujë të trazuar, ku dominonte ngjyra e thellë e detit verior dhe valët e qeta i jepnin asaj një magji pafundësie.
Sami, mikëpritësi ynë, një burrë i gjatë me flokë të verdhë të errët, na priti me përzemërsi dhe mirëseardhje te hyrja e anijes. Së bashku u nisëm për në ishull, ku na priste sauna dhe aventurat veriore, siç themi në Kosovë “Bukë e kripë e zemër”, ndërsa në Finlandë “Peshk e saunë e zemër”.
Ishim 14 gra dhe 3 burra, përfshirë kapitenin, mikëpritësin e qytetit të Helsnikit Sami dhe Christofer, gazetarin nga Meksika, i cili ndau me ne tregime të vështira për jetën atje dhe sfidat e mëdha për shkak të karteleve. Përmend numrin e grave sepse atmosfera ishte e ngrohtë, plot biseda, buzëqeshje, foto e video për të ruajtur çdo çast, siç bëjnë gratë kur janë bashkë, pa asnjë siklet. Ishte përjetim i çmuar, sepse përshtypja e parë ka magjinë e vet që nuk përsëritet.
Shiun e shijuam teksa pikat depërtonin përmes dritareve të anijes. Ishte një çast i ngjashëm me atë kur fëmijët dalin në shi dhe bëjnë çudira, ndërsa horizonti bashkohej me detin para nesh dhe qyteti ngadalë po largohej pas nesh.
Zbritëm nga anija dhe nisëm të ecim në një shteg të ngushtë, të rrethuar nga drunj të gjelbër e të fuqishëm. Në ajër dëgjoheshin të qeshurat e gazetarëve që përpiqeshin të shpejtonin hapat për t’i ikur shiut, pasi një ditë më parë kishim ikur diellit. Nga ky vend mund të shihje anën tjetër të ishullit, një hapësirë prej rreth 5 hektarësh, që në përmasat e tij i ngjante pesë fushave standarde futbolli (një fushë futbolli standarde ka afërsisht 1 hektar). Helsinki ka rreth 300 ishuj, shumica të vegjël dhe të pabanuar, ndërsa e gjithë Finlanda numëron mbi 188 mijë ishuj.
Hymë në restorantin e ngrohtë dhe i varëm xhaketat, ndërsa vetëm disa metra larg ndodhej sauna e madhe, e ndarë për burra dhe gra. Për finlandezët është krejt natyrale të hysh nudo në saunë, por për kulturat e tjera kjo është e panjohur. Prandaj, mikpritëset Laura dhe Lili, si dhe shumica e gazetareve nga vende të ndryshme, ishin veshur me bikini, përveç atyre nga Malajzia, Kina dhe India, që mbuluan më shumë trupin.
Ndërkohë që sauna përjetohej në tërësi, filluan të hedhin me lugë druri ujë mbi gurët e nxehtë, duke nxitur avullin që sjell butësinë dhe relaksin e plotë. Gjatë qëndrimit në saunë, duhet të kesh ujë me vete për t’u hidratuar, dhe nëse nxehtësia të bëhet shumë e fortë, këshillohet të përkulesh me fytyrën drejt gjunjëve, që avulli të mos bjerë drejtpërdrejt në fytyrë, sikur ai avulli i fortë që ndodh kur hap furrën dhe ndjen menjëherë shpërthimin e tij në lëkurë. Por avulli i saunës është krejt ndryshe, është një avull i butë dhe relaksues që shpërndan ngrohtësinë në trup me më shumë lehtësi.
Madje, gjatë bisedave, iu dha një ide Finlandës, pse të mos krijohet një “Sauna Card” për turizëm? Një kartë që ofron vizita dhe oferta të ndryshme për saunat e shumta, duke i bërë ato më të qasshme për turistët. Mbase, kush e di, kjo ide nuk është edhe aq larg realizimit!
Në ndërkohë, përjetimi merr një kthesë krejt të veçantë me zhytjen në ujërat e ftohtë të detit dhe kthimin e menjëhershëm në saunë. Vraponim me ngazëllim nga sauna nëpër shtegun e ngushtë, duke zbritur shkallët prej druri dhe e mbajtur fort për litarët që janë të vendosur në të dyja anët për t’u siguruar gjatë zhytjes në ujin e ftohtë. Ky ritual i alternimit të nxehtësisë dhe ftohtësisë përsëritej disa herë, duke na dhënë ndjesinë e rilindjes dhe rifreskimit total të trupit dhe shpirtit.
Më pas u drejtuan te një saunë më e vogël dhe më e re, me pamje të hapur drejt detit, e vendosur buzë tij. Xhamat e mëdhenj na mundësonin të shijonim njëkohësisht ngrohtësinë e saunës, avullin e butë dhe pamjen magjike të ujërave përpara nesh. Aty, kripa dhe mjalti përbënin pjesë të ritualit të skrabit, duke i dhënë trupit një kujdes të veçantë dhe një përzierje natyrale të shëndetit dhe relaksimit. Këto spa finlandeze janë jashtëzakonisht të popullarizuara, dhe ndoshta kjo është një nga arsyet pse Finlanda mban prej gati një dekade vendin e parë si populli më i lumtur në botë, përveç standardeve të larta të jetesës.
Darka e mbrëmjes ishte një përjetim i thjeshtë por i kënaqshëm në restorantin prej druri të ishullit Unisaari. Peshku, natyrisht, ishte kryefjala e tryezës. Kamerieri shërbente me shumë zell, por buzëqeshja e tij ishte e rrallë dhe e ftohtë, si e lexuar nga një libër komik me titull “Finnish Nightmares – Suomalaisia painajaisia”. Ky libër përshkruan me humor situatat e jetës së përditshme të finlandezëve, njerëz introvertë dhe me tendenca për të shmangur ndërveprimet sociale të tepruara. Autore është Karoliina Korhonen, e cila ka përfshirë me mjeshtëri veçoritë kulturore, si mungesa e shprehjes së fortë dhe preferenca për qetësi dhe hapësirë personale. Nonii!
Në tavolinën ku u mblodhën gazetarët, ndërsa shërbehej mirësjellja tipike finlandeze, ushqimi nordik – ‘Nonii’ peshku, si gjithmonë, na bëri të dashurohemi edhe më shumë me shijet e Finlandës. Vera, austriake dhe e freskët, shoqëronte çdo kafshim, ndërsa bisedat nisën të rrjedhin lirshëm. Një prej tyre mori kthesë drejt muzikës – ajo gjuhë universale që bashkon njerëzit më fort se çdo gjë tjetër.
Paola Rossa, gazetare me prejardhje nga Portoriko dhe banore në New York, na tregoi historitë e saj, dhe kështu biseda na çoi tek Jennifer Lopez. Ndërsa unë me krenari përmenda Dua Lipën, yllin tonë kosovar që po shkëlqen në skenën botërore. “Kush nuk e njeh Dua Lipën?”, pyeta me buzëqeshje.
Jeta personale e JLO-s dhe ribashkimet e saj me Ben Affleck u bënë temë diskutimi, por kur pyeta Paolën nëse JLO kishte investuar në Portoriko, ajo u përgjigj: “Jo, asgjë”.
“Ndërsa Dua Lipa,” thashë, “ka investuar në Kosovë, duke themeluar Sunny Hill Festival dhe duke sjellë yje botërore në atdheun tonë.” Këndi ynë gazmor u mbush me gëzim dhe krenari, ndërsa darka vazhdonte në atmosferën e ngrohtë finlandeze.
Në këtë moment, mu kujtua diçka interesante: në restorantet kosovare shpesh ke muzikë sfondi, por këtu, në zemrën e mikpritjes finlandeze, muzika ishte ajo e bisedave tona të gjalla dhe të sinqerta që krijonin melodi më të bukura se çdo këngë.
Dua Lipa u bë qendra e bisedave tona, ndërsa mikëpritësit tanë Sami, Laura dhe Lili na përqafuan me ngrohtësi dhe na rrethuan me dritën magjike të Revontulet, aurorës boreale që pushtonte qiellin verior.
Mbase një ditë do të krijojmë kujtime të reja duke vizituar Laplandën, duke takuar Santa Claus-in dhe Elfët, krijesat magjike të asaj toke dimërore, dhe pse jo, të punojmë së bashku për t’i bërë Krishtlindjet edhe më të ngrohta dhe më të përzemërta.
Kiitos and moi moi Finlandë!























