KQZ me sqarim për numërimin në Mitrovicë:Gabimi teknik s’ndikon në zgjedhje
RTKlive
( E plotësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura në opinion publik për procesin e verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut. KQZ ka sqaruar se është konstatuar një gabim teknik në disa fletëvotime, por që sipas institucionit, ky gabim nuk ndikon në rezultatin e zgjedhjeve.
“Sipas informacioneve të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e kodit të vendvotimit,” thuhet në reagim.
KQZ bën të ditur se menjëherë ka kontaktuar kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që “gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile”. "Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të dërgojë një sqarim zyrtar për këtë rast", vijon reagimi.
Institucioni ka theksuar se, pavarësisht këtij problemi teknik, të gjitha fletëvotimet janë evidentuar dhe verifikuar saktë. “Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë dhe numrat serikë përputhen plotësisht me ato të pranuara në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës,” thuhet më tej.
KQZ ka siguruar publikun dhe votuesit se ky incident nuk cenon integritetin e procesit zgjedhor. “Gabimi teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në integritetin e procesit të votimit apo numërimit të votave, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen,” përfundon reagimi.
Në Qendrën Komunale të Numërimit atje është ndërprerë numërimi i votave për kryetar të Komunës.
RTK, ka kontaktuar Prokurorinë dhe Policinë në këtë qytet mirëpo deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.
Burime të televizionit bëjnë me dijë se kryeprokurori i Mitrovicës bashkë me prokurorin e rastit dhe me policinë e Kosovës, edhe në këto momente gjenden në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë të Jugut.
Ndërsa kryesuesi QKN nga PDK, Jahir Sumiqi, ka thënë se kjo parti e ka bojkotuar procesin e numërimit.
Sipas tij, në këtë Qendër të Numërimit ka parregullsi dhe janë vërejtur 20 fletëvotime me numra serikë të ndryshëm.
“Deri tash janë gjetur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë. Kryesisht ato kanë lëvizur nga shkolla “Migjeni”, në “Abdullah Shabani”, pra ka parregullsi ta jashtëzakonshme. Ne si PDK e kemi bojkotuar procesin, pasi është kërkuar nga prokurori iu rastit ta shkelim ligjin, ne jemi kundër shkeljes së ligjit. Kemi vendosur ta bojkotojmë numërimin deri në këto çaste, e pastaj të shohim se çka po ndodh me tej”, ka thënë ai.























