Osmani: Barazia dhe të drejtat e njeriut, shtyllat themelore të Republikës
V.S|RTKlive
Në Forumin“Nga Rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, tha se Kosova ka dëshmuar përgjatë viteve se mund të jap shumë në këtë fushë.
"Pavarësisht periudhave të vështira e të errëta që përjetoi populli ynë gjatë luftës, ne arritëm që të ringrihemi dhe të ndërtojmë lirinë, falë forcës, guximit dhe përkushtimit të grave dhe burrave tanë. Kjo histori qëndrese, bashkëpunimi, tashmë po shndërrohet në një shembull frymëzimi që Kosova çdo ditë e ndanë me gjithë botën”, tha Osmani.
Osmani tha se ky vit jubilar që shënon 25 vjetorin e agjendës për gratë, paqen e sigurinë, nuk është thjesht një shënim kronologjik, por, sipas saj, një dëshmi e një kapitulli të tërë të rezistencës, të vizionit dhe të transformimit të një sistemi të tërë vlerash në sektorin që lidhë gratë me vlerat e paqes dhe misionin për forcimin dhe garantimin e sigurisë.
“Republika e Kosovës tashmë është shndërruar në sinonim të agjendës për gratë, paqen e sigurinë, si pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm shtetëror. Sot me krenari shohim pjesëmarrjen gjithnjë në rritje në sektorin e sigurisë, gjersa kujtojmë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e lirisë dhe shtetformimit e shtetndërtimit, dhe e fuqizimit të institucioneve tona në vazhdimësi”, deklaroi presidentja Osmani.
Ajo ka falënderuar të gjitha gratë tha se jo vetën që kanë sakrifikuar gjithçka për Kosovën, por që edhe sot, sipas saj, kanë zgjedhur të shërbejë në Republikën e Kosovës, në çdo sektor ku mbrohen paqja e ligji.
Osmani tha se barazia dhe të drejtat e njeriut janë shtyllat themelore të Republikës së Kosovës.
“Progresi i arritur nuk duhet të na përmbushë meqenëse sfidat akoma mbeten prezentë, sidomos në arritjen e përfaqësimit të barabartë në pozita të larta menaxheriale. Ju besoj e vërejtët që në fillim se gati të gjithë që i përshëndeta në krye të institucioneve, ishin burra, do të punojmë së bashku që edhe kjo të ndryshojë”, deklaroi në këtë ngjarje para të pranishmëve, Osmani.
Ky forum diskutimi me temë “Nga Rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”, u organizua nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës.
Barbano: Të gjithë duhet ta njohin rolin e domosdoshëm të grave që shërbejnë në Polici e Shërbimin Korrektues.
Kurse Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, tha se të gjithë duhet ta njohin rolin e domosdoshëm të grave që shërbejnë në Polici e Shërbimin Korrektues.
“Oficeret femra sjellin perspektiva unike që sjellin besimin dhe llogaridhënien, veçanërisht për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore. Në institucionet korrektuese lidershipi i grave promovon rehabilitim dhe ruan dinjitetin duke siguruar që sistemet e drejtësisë të marrin në konsideratë nevojat e ndryshme të të gjithë të burgosurve për të mbështetur në mënyrë më efektive riintegrimin dhe rehabilitimin e tyre. Kur gratë shërbejnë në këto rrole kritike, paqja jo vetëm që ruhet siç duhet, ajo ruhet nga brenda e bazuar në drejtësi dhe qëndrueshmëri.
Hoxha: Tema e sotme flet shumë për realitetin e ndritshëm që ka Kosova në këtë fushë
Ndërkohë, Gazmend Hoxha , drejtor i Policisë së Kosovës, tha se tema e sotme flet shumë për realitetin e ndritshëm që ka Kosova në këtë fushë. “Vetë prezenca jonë dhe kjo gjithëpërfshirje në këtë forum është dëshmi e konfirmimit dhe rikonfirmim se vendosja e grave në qendër të paqes dhe sigurisë e vendimmarrjes është jetike për një stabilitet të qëndrueshëm dhe jo vetëm, por edhe dëshmi se me dekada gratë ishin ndërtuese aktive të transformimit të vendit tonë, aktive në rezistencë”, deklaroi Hoxha.























