PDK: Në Mitrovicë pati ndërhyrje dhe parregullsi që ndikuan në rezultat
BKT
Lajme

PDK: Në Mitrovicë pati ndërhyrje dhe parregullsi që ndikuan në rezultat

RTKlive

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kërkuar që Mitrovica të shkojë në rivotim, duke argumentuar se disa qendra votimi kanë shfaqur parregullsi që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.

Në një konferencë për media, Gruda tha se gjatë numërimit janë gjetur fletëvotime me numra serialë që i përkisnin një klase apo qendre tjetër, duke shkaktuar ndërprerjen e procesit. Ai theksoi se kodi i çdo fletëvotimi shërben si mekanizëm sigurie për të parandaluar manipulimin dhe bartjen e fletëvotimeve.

Sipas Grudës, këto parregullsi janë vërejtur në disa shkolla, përfshirë “Abdullah Shabani”, “Ismail Qemali” dhe “Migjeni”, dhe nënvizoi se Mitrovica ka pasur këtë herë rritje të daljes në votime krahasuar me raundin e parë, gjë që shton dyshimet për manipulim.

Gruda tha se PDK do të ndjekë çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të garantuar legjitimitetin e zgjedhjeve dhe njoftoi se partia do të dorëzojë ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me të gjitha provat e mbledhura.

“Vetëm përmes një procesi të pastër mund të garantohet legjitimiteti i rezultatit dhe besimi i qytetarëve në demokraci”, tha pos tjerash Gruda.


MË SHUME NGA Lajme