Krasniqi i VV-së:Vota e lirë e integriteti i zgjedhjeve nuk mund të shkelen
RTKlive
Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Alban Krasniqi ka thënë se vullneti qytetar, vota e lirë dhe integriteti i zgjedhjeve nuk mund të shkelen nga askush.
“Mbrëmë isha dëshmitar i një ndërmarrje të organizuar kriminale nga një parti, e ndihmuar nga të tjerat, që orkestronte bashkë me anëtarët e saj në KQZ, me hetues që pa asnjë autorizim ligjor nga prokurori bllokuan numërimin dhe futën duart në materiale zgjedhore”, ka shkruar ai.
Krasniqi e ka quajtur ndërhyrje arbitrare në proces dhe shkelje të legjislacionit.
Tutje, anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje thotë se aty u vazhdua trajtimi i rastit kundërligjshëm, sipas tij, duke u injoruar edhe njoftimi sqarues i KQZ-së dhe i ekspertëve të këtij institucioni.
Ai ka thënë se është urgjente që institucionet kompetente të ndërmarrin veprimet e menjëhershme “ndaj zyrtarëve të lartcekur institucional të përfshirë në veprimet e tilla antiligjore dhe me prapavijë të qartë politike që kontribuuan me vetëdije dhe planifikim në kryerjen e dyshuar të veprave penale që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve, falsifikimin e rezultateve të votimit dhe cenimin e rendit kushtetues”, ka shkruar Krasniqi.























