SHSKUK: Shërbimi i dializës po zhvillohet normalisht në të gjitha qendrat
V.S|RTKlive
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës është mbledhur sot për të 78-ën herë me radhë aty ku thuhet se janë diskutuar një varg çështjesh, përfshirë edhe situatën e furnizimit me materiale për shërbimin e hemodializës.
Në këtë takim, drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi ka thënë se shërbimi nuk është ndalur dhe pacientët po e marrin trajtimin e tyre të rregullt.
“Shërbimi i dializës po zhvillohet normalisht në të gjitha qendrat dhe asnjë pacient nuk ka mbetur pa trajtim. Për momentin ka material të mjaftueshëm për seancat ditore, por furnizimi nuk është në sasinë optimale. Procedura e rregullt e tenderimit është duke u shqyrtuar në OSHP. Në ndërkohë është zhvilluar edhe një procedurë emergjente, e cila ka rezultuar me nënshkrimin e kontratës, por për shkak të mosdorëzimit të materialit nga operatori ekonomik brenda afatit, kontrata është ndërprerë nga Zyra e Prokurimit", sqaroi i Azizi.
Ai ka bërë të ditur se SHSKUK është në proces të një procedure të re emergjente për furnizim, me qëllim, që siç ka thënë, të sigurohet vazhdimësia e plotë e trajtimit të pacientëve pa asnjë ndërprerje.
“ SHSKUK po punon ngushtë me koordinatorët e shërbimeve për të garantuar ofrimin e kujdesit të pandërprerë për të gjithë pacientët në nevojë”, citon komunikata e SHSKUK-së deklarimet e Azizit.
Ndërkohë, sipas komunikatës thuhet se kryesuesja e Bordit, Tetore Olloni, në këtë takim ka theksuar nevojën imediate për shërbimin e politraumës tek fëmijët, ku, siç ka thënë, të gjitha shërbimet do të merren brenda një objekti, pa pasur nevojë të enden në objekte të ndryshme.
“Po ashtu, sipas saj duhet të mendohet për zhvillimin e kapaciteteve për kardiokirurgji të fëmijëve në QKUK”, thotë SHSKUK-ja në komunikatë.
Behet e ditur se në këtë mbledhje, Bordi Drejtues i SHSKUK-së, ka miratuar edhe Rregulloren për edukimin e vazhdueshëm profesional për punonjësit e SHSKUK-së dhe Rregulloren për shfrytëzimin e parkingut në hapësirat e QKUK-së.
“Po ashtu, Bordi shqyrtoi dhe miratoi udhërrëfyesit e performancës për disa klinika të QKUK-së, përkatësisht, Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, Klinikën e Kirurgjisë Maksillo-faciale, Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Rekonstruktive dhe Estetike, Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore, Klinikën e Kardiokirurgjisë, Klinikën e Kirurgjisë Torakale, Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, Klinikën e Oftalmologjisë, Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, Klinikën e ORL-së”, thuhet në komunikatën e SHKSUK-së.























