Basha takon Jiri Plecityn, diskutojnë edhe për Planin e Rritjes
BKT
Lajme

Basha takon Jiri Plecityn, diskutojnë edhe për Planin e Rritjes

M.M./ RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, priti në takim shefin e Divizionit për Kosovë pranë Komisionit Evropian, Jiri Plecity dhe ekipin e tij. Basha njoftoi për miratimin e Buxhetit për vitin 2026, përfshirë buxhetin për RTK-në dhe për tri komunat: Zveçan, Gjilan dhe Prishtinë.

Përmes një komunikate për medie nga Departamenti për medie e Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur se gjatë takimit kryetari Basha e Plecity diskutuan gjithashtu edhe për ratifikimin e Marrëveshjes për Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave.

“Të dy palët ndanë bindjen se këto iniciativa nuk i përkasin ndarjeve politike, por përfaqësojnë një interes të përbashkët kombëtar, zhvillimin e vendit, përmirësimin e jetës së qytetarëve, si përshpejtimin e vendit tonë në rrugën tonë drejtë familjes evropiane. Basha shprehu mbështetjen e plotë për procedimin e tyre nga Presidentja, si dhe trajtimin e shpejtë të kësaj marrëveshjeje, si dhe të marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare që kërkojnë vëmendje urgjente për shkak të afateve të parashikuara”, thuhet në komunikatë.

Tutje bëhet e ditur se kryetari Basha kërkoi që  Plecity të takohet edhe me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend, në mënyrë që t’i jepet një shtysë tjetër ratifikimit të shpejtë të Marrëveshjes në Kuvend.

"Qëllimi ynë mbetet avancimi i reformave dhe stabilitetit për të mirën e qytetarëve të Republikës", theksoi kryetari Basha.


MË SHUME NGA Lajme