FSK diskuton bashkëpunimin rajonal për siguri dhe mbrojtje me Britaninë
RTKlive
Forca e Sigurisë së Kosovës njofton se gjeneral major Enver Cikaqi, zëvendëskomandant i FSK-së, mori pjesë në një takim të organizuar nga e dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, me udhëheqësit ushtarakë të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës.
FSK bën të ditur se takimi u zhvillua në një anije të Forcave Detare Britanike dhe në të u diskutua rëndësia e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe roli i iniciativave të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë në rajon.
Në fokus të diskutimeve, ishte situata e sigurisë dhe efekti i agresionit në Ukrainë në këtë pjesë të Europës, si dhe përballimi i emergjencave që po sfidojnë vendet e rajonit. FSK thekson se u vu theksi i veçantë në nevojën për mbështetje ushtarake ndaj autoriteteve civile dhe koordinim të ngushtë ndërmjet vendeve të rajonit.
"Në përmbyllje të takimit, pjesëmarrësit u pajtuan se mbështetja britanike dhe ndërmarrja e hapave konkretë në kuadër të iniciativave rajonale janë thelbësore për avancimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e një Ballkani më të sigurt dhe më stabil”, njofton FSK.























