Rama - Muratit: Boll me lojëra politike, zhbloko buxhetin e Kryeqytetit
RTKlive
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar për bllokimin e buxhetit të Kryeqytetit.
“Hekuran, mos rri tu e gjujt përgjegjësinë! Çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve të tua politike, i askujt tjetër!”, ka thënë Rama.
Sipas tij, çdo status që ministri shkruan në Facebook është “vetëm përpjekje e lodhtë për të manipuluar narrativën publike dhe për të zhvendosur fajin”.
Rama ka njoftuar se Komuna e Prishtinës i ka dërguar sot Ministrisë së Financave edhe një shkresë tjetër zyrtare, pasi buxheti i Kryeqytetit për vitin 2025, ndonëse i përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore, vazhdon të mos ekzekutohet.
“Sot po flasim për 33 milionë euro të bllokuara, prej tyre 23 milionë të hyra vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar, të cilat mbesin pezull për shkak të vendimmarrjes tënde. Ta kesh të qartë: asnjë status, asnjë justifikim dhe asnjë tentativë për t’u fshehur pas retorikës politike nuk do të të shpëtojë nga përgjegjësia publike për këtë situatë,” ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se Kryeqyteti nuk do të mbahet peng i kalkulimeve politike të askujt.
Në dokumentin e nënshkruar më 13 nëntor 2025, drejtuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe zyrtarëve të tjerë, thuhet:
“Duke iu referuar gjendjes së rëndë financiare në të cilën ndodhet Kryeqyteti – Prishtina, dhe mungesës së reagimit institucional nga ana e Ministrisë që ju drejtoni, jemi të detyruar të ripërsërisim me shqetësim kërkesën tonë për trajtim urgjent të kësaj çështjeje, respektivisht kërkesës tonë për zbatimin e Ligjit nr. 08/L-332 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 dhe alokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës.”
Në të njëjtin dokument, Rama thekson se Komuna e Prishtinës “për shkak të mungesës së buxhetit, aktualisht ka deficit prej rreth 33 milionë eurosh”.
Ndërkohë sot gjatë ditës, ministri në detyrë Hekuran Murati, ka shkruar në rrjetin social Facebook se "Buxheti për RTK-në; buxheti për 2025 i Prishtinës, Gjilanit, e Zubin Potokut, buxheti për vitin 2026, Plani i Rritjes i BE-së e Marrëveshja me Bankën Botërore po mbahen të bllokuara sepse opozita po refuzon t’i i krijojë komisionet parlamentare të përhershme".























