Policia dhe KFOR-i flasin për sigurinë dhe bashkëpunimin në veri të vendit
RTKlive
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutas, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në takim kanë marrë pjesë edhe bashkëpunëtorë të të dy palëve. “Në takim ndër të tjera u diskutuan tema të ndryshme të cilat ishin në interes të situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Palët kanë konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve në funksion të ruajtjes së një ambienti më të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.
Sipas Policisë, një nga pikat e diskutimit ishin edhe aktivitetet e përbashkëta në mes të PK-së dhe KFOR-it, të cilat reflektojnë në situatën e sigurisë në tërë vendin, përfshirë veriun.
Potencohet se, të dy palët janë dakorduar se vazhdimi i bashkëpunimit, mirëbesimit dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta ndikon në rritjen e mëtejme të nivelit të sigurisë së përgjithshme.























