Politikëbërësit nuk sigurojnë model të qëndrueshëm për RTK-në|Video
Arbresha Berisha|RTK
Radiotelevizioni i Kosovës, me vite të tëra po funksionon me buxhet të kufizuar. Edhe pse ligji i transmetuesit publik i miratuar më 2012 parashihte që RTK-së t’i ndahej 0.7% e buxhetit të Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. RTK vazhdon të mos ketë një model të qëndrueshëm të financimit.
Ndër vite Radiotelevizioni i Kosovës ka dëshmuar se është institucion model për informimin e publikut, organizimin e ngjarjeve të mëdha e përcjelljen e proceseve të rëndësishme për vendin.
Një gamë e gjerë programacioni u prodhua e standardet u ruajtën. Megjithatë, buxheti ishte i kufizuar.
Megjithëse ligji për RTK-në i miratuar në vitin 2012, saktësisht neni 21 i tij e thotë qartë se transmetuesit publik duhet t’i ndahet 0.7% e buxhetit të Kosovës, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Buxheti i shtetit u rrit e ai i RTK-së u zvogëlua.
Më 2015, për transmetuesin publik u ndanë rreth 9.8 milionë euro, teksa projeksionet ishin të përafërta edhe për 2 vitet pasuese.
Ndonëse buxheti i vendit ishte më i lartë, ai i RTK-së në vitin 2019 u rrit për mbi 1 milion, konkretisht shkoi në 11.2 milionë euro, siç vazhdoi edhe më 2020.
Por nga viti 2022 e deri në këtë vit, RTK-së iu ndanë rreth 8.9 milionë euro buxhet, më pak se që kishte 1 dekadë më parë.
Drejtori i Televizionit të RTK-së, Rilind Gërvalla, ka nënvizuar se çështjen e buxhetit e kanë diskutuar vazhdimisht me përfaqësues të Qeverisë e të Kuvendit, por që nuk ka pasur pajtueshmëri mes subjekteve politike për zgjidhjen përfundimtare të modelit të qëndrueshëm të financimit.
“Ligjërisht, financimi i RTK-së është përcaktuar me ligjin për Radiotelevizionin e Kosovës, ku është paraparë që përkohësisht 0.7% e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës të ndahet për RTK-në. Po ky nen thekson se brenda tre viteve nga hyrja në fuqi e ligjit (2012) do të duhej të përcaktohej një model i qëndrueshëm i financimit, gjë që fatkeqësisht nuk është realizuar asnjëherë. Si pasojë, kjo përqindje nuk është zbatuar në praktikë dhe çdo vit buxheti i RTK-së është përcaktuar me shumë më të ulët, sipas vendimeve të komisioneve përkatëse parlamentare dhe pa u bazuar në projeksionet reale të nevojave programore, të cilat zakonisht kanë qenë më të larta se dyfishi i shumës që i ndahet aktualisht institucionit”, ka theksuar Rilind Gërvall, drejtor i Televizionit të RTK-së
E pasojat e moszgjidhjes së një modeli të qëndrueshëm të financimit nga politikëbërësit ndihen dhe shihen sot e kësaj dite. Punëtorët kanë mbetur pa pagat e muajit tetor, për çka tashmë disa herë është protestuar.
“Mungesa e buxhetit, veçanërisht ajo që lidhet me pagat dhe mjetet për prodhimin programor, ka ndikuar ndjeshëm në funksionimin e Televizionit publik. Si drejtor i Televizionit, unë ushtroj funksionin programor dhe nuk kam përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi menaxhimin e buxhetit të përgjithshëm të institucionit. Megjithatë, mungesa e mjeteve financiare reflekton drejtpërdrejt në aftësinë për të prodhuar programe cilësore, për të investuar në pajisje moderne dhe në mirëmbajtjen e infrastrukturës teknike të televizionit. Me gjithë faktin se kjo çështje nuk bie drejtpërdrejt në kompetencën time, në mungesë të ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, kam ndërmarrë hapin institucional duke dërguar letër zyrtare në Kuvend dhe në Qeveri, për të kërkuar alokimin e mjeteve të nevojshme për vijueshmëri financiare dhe funksionale të RTK-së”, ka shkruar ai.
Pavarësisht kufizimeve buxhetore, RTK vazhdon të ofrojë diversitet programor dhe mbulim të gjerë informativ.























