Fillon numërimi i votave me postë
Arbresha Berisha|RTK
(E plotësuar, ora 10:29) Ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura përmes postës nga jashtë Kosovës, që i takojnë raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se gjatë ditës së premte është përmbyllur vlerësimi i 12,018 pakove me fletëvotime të pranuara deri më tani, nga të cilat janë aprovuar 8,932 dhe janë refuzuar 3,086.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka theksuar se shkaku më i shpeshtë i refuzimit është mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument unik që votuesi i regjistruar e merr nga KQZ-ja, e cila ka munguar në 3,009 raste.
Njoftohet se për shkak të largësisë, 519 pako nga kutitë postare në SHBA, Kanada dhe Australi ende nuk kanë arritur në Kosovë; vlerësimi dhe numërimi i tyre do të kryhet sapo të pranohen.
"Më 11 dhe 12 nëntor janë tërhequr gjithsej 13,084 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të botës, ndërsa numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës për këto 18 komuna është 29,752", thekson zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Pas përfundimit të numërimit, rezultatet do të publikohen në platformën elektronike të KQZ-së. Në këtë platformë tashmë janë të publikuara edhe rezultatet nga numërimi i rreth 750 zarfeve me fletëvotime me kusht dhe 1,441 fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
Sot nis numërimi i votave me postë
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që i takojnë zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 18 komunave, ka njoftuar dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Numërimi është paralajmëruar se do të nisë nga ora 10:00.
KQZ-ja ka bërë të ditur se procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9,800, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7,240, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,570.
“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ. Më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellur në Kosov0ë”, ka thënë për RTKlive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi shtoi se në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikohen të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.























