Osmani: Procesi po zvarritet nga partitë, jo nga unë
RTKlive
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se e ka respektuar në përpikëri Kushtetutën gjatë procesit të mandatarit të dytë për formimin e Qeverisë, duke theksuar se vonesat në këtë procedurë nuk janë shkaktuar nga ajo, por nga faktorë të tjerë politikë.
Duke folur para gazetarëve, Osmani u shpreh se ka qenë optimiste që seanca për votimin e mandatarit të dytë do të thirrej më herët, dhe jo në ditën e fundit të afatit kushtetues, më 19 nëntor.
“Ftesa për seancë mund të bëhet si e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur se do të thirret me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Nuk mund të paragjykoj rezultatin e votimit; kjo u takon deputetëve dhe partive politike”, tha Osmani.
Ajo theksoi se, ndonëse ka pasur pritje që seanca të caktohej më herët, kjo nuk ka ndodhur. “Optimimi im ishte që seanca të thirrej në kohë. Duket se të tjerët nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Me rëndësi është që të thirret brenda afatit kushtetues, dhe përderisa është brenda atij afati, nuk ka shkelje,” shtoi Presidentja.
Sa i përket procesit të mandatarit, Osmani rikujtoi se Kushtetuta nuk kërkon nënshkrime si garanci për kandidaturën, duke theksuar se Glauk Konjufca është vlerësuar si figurë që ka gjasa reale për të marrë besimin e Kuvendit.
“Çështja e nënshkrimeve nuk kërkohet as me Kushtetutë, as me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sikur të ishin dy kandidatë, atëherë do të shihej se cili prej tyre i ka gjasat më të mëdha. Por, megjithatë, kur është vetëm një propozim, shihet nëse ai kandidat i ka gjasat, dhe nga ajo që ka shprehur kandidati për kryeministër, Konjufca, është vlerësuar nga ana ime si Presidente se i ka ato gjasa. Nuk është kërkuar asnjëherë garanci”, theksoi presidentja.
Presidentja Osmani theksoi se e tërë procedura është duke u zhvilluar në përputhje me Kushtetutën, duke theksuar se përgjegjësia për vonesat e mëdha në proces nuk bie mbi të.
“Kushtetuta është e qartë: nëse dështojnë mandatarët e parë, shkohet te i dyti. Nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam respektuar Kushtetutën. Ka pasur një vonesë 9-mujore, të cilën nuk e kam kërkuar, as përkrahur e as shkaktuar unë si Presidente. Vonesat janë shkaktuar nga të tjerët”, tha ajo.
Osmani shtoi se pas pritjes së gjatë, procesi tani po i afrohet fundit dhe se mbetet të shihet vendimi përfundimtar i Kuvendit në seancën e ardhshme.
“Për 9 muaj i kemi pritur partitë politike. Kam shpresuar se do të tregonin durim për këto dy javë. Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi im të shkaktoj vonesa; ato janë shkaktuar nga të tjerët. Për 9 muaj i kemi pritur. Tani po i vjen fundi gjithë procesit dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha në fund Osmani.























