Basha tha se seanca mbetet e hapur, ndërpret diskutimet
BKT
Foto: Elmina Osmani / RTK
Në Fokus

Basha tha se seanca mbetet e hapur, ndërpret diskutimet

M.M.& SH.G./ RTKlive

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ndërpreu seancën dhe  shtoi se seanca mbetet e hapur në rast se ka ndryshim të qëndrimeve.

"Seance mbetët e hapur në rast se kemi ndryshime të qëndrimeve edhe unë ju bëjë thirrje të gjithë subjekteve politike, deputetëve të Kuvendit që ti bashkëngjiten të gjithë deputetëve tjerë që të mblidhemi dhe ti tejkalojmë këto ligje me rëndësi jetikë për të gjithë qytetarët e Republikës", tha kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Kusari-Lila kritikon mungesën e opozitës në seancën e Kuvendit

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimosa Kusari-Lila, ka reaguar ndaj mungesës së opozitës në seancën e sotme të Kuvendit, duke theksuar se përgjegjësia për funksionimin institucional bie mbi të gjithë deputetët. Ajo ka theksuar se formimi i komisioneve parlamentare është detyrë e grupeve parlamentare dhe jo e qeverisë, ndërsa opozita po shmang detyrimet e saj.

Kusari-Lila tha se më e lehta është që të abstenohet ose të mos vihet fare, "siç kanë bërë fatkeqësisht përfaqësuesit e grupeve tjera parlamentare, deputetët nga PDK, LDK, AAK, nga Nisma Socialdemokrate dhe një grup tjetër parlamentar".

"Megjithatë, kjo nuk ua heq përgjegjësinë që e kanë dhe mund ta kenë në formimin e komisioneve të përhershme parlamentare”.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e përgjegjësisë së deputetëve ndaj qytetarëve: “Ajo çka për ne është shumë e rëndësishme sot është të marrim përgjegjësinë për detyrën e deputetit që e kemi, ta ushtrojmë atë përgjegjësi me nder, por edhe me obligimin që qytetarë e këtij vendi na kanë dhënë”, tha ajo.

Kusari-Lila bëri të qartë se formimi i komisioneve parlamentare nuk është kompetencë e qeverisë, por rezultat i bashkëpunimit mes grupeve parlamentare sipas forcës politike të fituar në Kuvend.

Basha: I gatshëm të ftojë opozitën në mbledhje të Kryesisë

(E plotësuar) Dimal Basha, kryetar i Kuvendit të Kosovës në hapje të seancës së jashtëzakonshme tha se në situata të jashtëzakonshme me mirëkuptimin e të gjitha grupeve parlamentare do të mund të gjendej zgjidhja. Ai ka thënë se është i gatshëm të thërrasë një seancë tjetër të jashtëzakonshme lidhur me votimin e buxhetit 2026.

Basha përmendi disa çështje, sipas tij, urgjente e që janë: 5 marrëveshje ndërkombëtare me vlerë deri në 1 miliard euro; buxhetin e vitit 2026, rreth 4 miliardë euro; buxhetet e tri komunave që po përballen me vështirësi të theksuara financiare; si dhe çështja e pagave të punëtorëve të RTK-së.

Rexhepi: Sot është koha për përgjegjësi dhe votim të buxhetit të Kosovës

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Emilia Rexhepi, ka marrë pjesë në seancën e sotme parlamentare në Kuvendin e Kosovës, ajo ka theksuar rëndësinë e përgjegjësisë së deputetëve për miratimin e ligjeve dhe buxhetit të shtetit. Ajo ka shtuar se grupi parlamentar multi-etnik, që përbëhet nga përfaqësues të komuniteteve boshnjak, egjiptian, rom dhe të tjerë, është i gatshëm të votojë projektligjet, marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili është rritur mbi katër miliardë euro.

Rexhepi tha se është koha për të hapur rrugën dhe për të formuar komisionet parlamentare, duke shtuar se miratimi i buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik, sistemin shëndetësor dhe arsimor të qytetarëve. Ajo po ashtu konfirmoi përkrahjen e grupit të saj për kandidatin për kryetar, Konjufcen.

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës në këtë seancë, do të jetë çështja e financimit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Përveç pikës për RTK-në, deputetët do të shqyrtojnë edhe themelimin e komisioneve legjislative, përfshirë ratifikime ndërkombëtare dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026.

Në këtë seancë po marrin pjesë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, LVV, Guxo, Alternativa, derisa partitë tjera opozitare, nga PDK, LDK, AAK e Nisma, sikundër kanë deklaruar nuk po marrin pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Tutje deputetët do të shqyrtojnë edhe themelimin e komisioneve legjislative, përfshirë ratifikime ndërkombëtare dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Rendi i plotë i ditës është si vijon:

Formimi i komisioneve parlamentare:

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e marrëveshjes së financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Kompas” – forcimi gjithëpërfshirës i sistemit të shëndetësisë;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”;

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026;

Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok;

Çështja e financimit të RTK-së;

Partitë opozitare kanë reaguar pas thirrjes për dy seancat e kuvendit, duke thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë pas thirrjes së dy seancave për të mërkurën. Kjo parti thotë se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00 ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet për disa komuna e për RTK-në.

Po ashtu Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar  për RTK se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë të Kuvendit.

Edhe NISMA Socialdemokrate njofton se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të thirrur në orën 11:00. Ky subjekt politik ka thënë se seanca është thirrur me urgjencë e pa konsultim paraprak me subjektet politike.

Kurse Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, dje, u bën thirrje deputetëve të marrin pjesë në seancë sotme të jashtëzakonshme dhe të votojnë ligjet e rëndësishme për buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

 


MË SHUME NGA Në Fokus