Kurti: S`ka `overdraft mbi overdraft`, Kuvendi përgjegjës për RTK-në
SH.G/RTKlive
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ka sqaruar përgjegjësinë institucionale për financimin e Radio Televizionit të Kosovës, duke theksuar se RTK është në tërësi kompetencë e Kuvendit dhe jo e Qeverisë.
Kurti tha se financimi i RTK-së nuk kërkon as propozim dhe as miratim nga Qeveria, pasi i gjithë procesi kryhet brenda Kuvendit, përmes Komisionit për Buxhet dhe Transfere. Sipas tij, me nënshkrimin e kryetarit të këtij komisioni, Thesari ekzekuton automatikisht transferin e mjeteve financiare për RTK-në.
“RTK është institucion publik i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, dhe Kuvendi është përgjegjës për financimin e saj. Interaksioni i vetëm i RTK-së është me trupat e Kuvendit. Me vendimin e Komisionit për Buxhet, Thesari e ekzekuton buxhetin automatikisht” tha Kurti, duke e cilësuar këtë një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet Komisionit dhe Thesarit të Shtetit.
Ai rikujtoi se në gusht, Qeveria në detyrë ndërhyri vetëm për të ofruar një zgjidhje të përkohshme, përmes një overdrafti emergjent, për shkak të mungesës së Kuvendit të konstituar. “Nuk ka më overdraft mbi overdraft”, theksoi Kurti, duke shtuar se tashmë, kur Kuvendi është funksional, nuk ekziston asnjë arsye për të mos e alokuar buxhetin e RTK-së.
Kurti tha se kritikat ndaj Qeverisë për çështjen e financimit të transmetuesit publik janë të pabazuara, pasi kompetencat në këtë rast i takojnë ekskluzivisht Kuvendit.
Ndërsa ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se RTK rrezikon të mbetet pa financim derti në fillim të marsit 2026. Krejt çka duhet, sipas tij, për dalë nga kjo situatë është formimi i komisionit për buxhet dhe transfere.























