Osmani ka nënshkruar vendimin për shpërndarje të Kuvendit
V.S| RTKLive
( E plotësuar, ora 11:55) Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarje të Kuvendit pas takimit me liderët e partive.
Lajmi në përditësim:
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, pas përfundimit të takimit në Presidencë, tha se sot ka qenë dashur që të deklarohet krijimi i qeverisë dhe kjo është fatkeqësi. Ai tha se Kosova po shkon drejt zgjedhje të reja me humbje.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se sot është nënshkruar dekreti për shpërndarjen e Kuvendit. Sipas tij, datat e propozuara janë 21 dhe 28 dhjetor.
Hamza: Ne kemi propozuar datën 21 dhjetor
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se ata kanë propozuar datën 21 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Ne kemi pasur një shtyrje të vazhdueshme dhe bllokadë në krijimin e institucioneve që bie barrë e partisë që ka fituar numrin më të madh të votave, dhe vendi ka nevojë sa më shpejtë të ketë institucione. Nuk shkon në të njëjtën kohë edhe me kërkuar urgjencë në krijim të institucioneve por me kërkuar edhe datë sa më të vonshme të zgjedhjeve. Dhe data tjetër ka qenë 28, dhe ne kemi qenë në datën e 21 për shkak se është edhe datë para ndërrimit të vitit”, deklaroi Hamza. Ai ka deklaruar edhe njëherë atë që e tha sapo u bë kryetar i PDK-së, se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike. “PDK unë si kryetar i PDK nuk kemi vija të kuqe për as një subjekt politik”, deklaroi ai.
Peci thotë se kanë propozuar 28 dhjetorin si datë për zgjedhje
Faton Peci drejtues i Partisë Guxo, pas përfundimit të takimit në Presidencë, tha se data që ata e kanë dhënë si propozim për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është 28 dhjetori.
“Pati diskutime të ndryshme rreth opsionit më optimal dhe të favorshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në mes dy datave 21 e 28 dhjetor, ne kemi preferuar datën 28 dhjetor. Arsyet janë të thjeshta për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve lokale. Për shkak të nevojës që të kemi përgatitje më të mirë edhe nga KQZ edhe të partive politike, por njëkohësisht edhe për nevojën e të organizimit më të mirë edhe të ambasadave e konsullatave në vendet e BE-së por edhe përtej në SHBA, ky ishte propozimi ynë”, tha Peci.
Ai tregoi se kishte propozuar që të mbahej një seancë ku do të shqyrtoheshin disa pika të rëndësishme, përfshirë buxhetin e RTK-së, por tha se nuk pati dakordim nga parti të tjera.
“Ne si Guxo kemi dhënë qëndrimet e propozimet tona, që të shqyrtohet mundësia që sot të kishin edhe një seancë të radhës në mënyrë që të adresonim disa prej problemeve që rrezikojnë kategori të caktuara të mbesin pa paga siç janë punëtorët e RTK-së, pastaj për mundësinë e zgjatjes buxhetore ose çfarëdo pike e rendit të ditës që ka qenë propozim në seancën e parë të orës 11:00 dje. Nuk kishte dakordim nga shumica e partive politike për t’i adresuar nevojat elementare, jetike për disa kategori të ndryshme shoqërore, dhe rrjedhimisht pas mungesës së vullnetit politik, presidentja nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse presidentja të firmosë shpërbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Fillon takimi i presidentes Osmani me liderët
(E plotësuar, ora 10:43) Ka filluar takimi i presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive politike.
Aty po marrin pjesë lideri i Vetëvendosjes , Albin Kurti, Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, Fatmir Limaj i Nismës, Faton Peci nga ‘Guxo’, Mimoza Kusari-Lila nga Aletrnativa dhe drejtues të partive tjera nga komunitetet.
Takimi u thirr pas dështimit një ditë më parë që Glauk Konjufca si mandatar i dytë të merrte votëbesimin në Kuvendin e Kosovës për krijimin e qeverisë së re. Ai arriti t’i merrte vetëm 56 vota për. Po kaq vota kishte marrë me 26 tetor edhe Albin Kurti. Nga 61 vota të domosdoshme, Kurti kishte arritur t’i merrte vetëm 56 vota, të pamjaftueshme për ta bërë qeverinë ‘Kurti3”.
Vendi kishte mbajtur zgjedhjet e rregullta parlamentare, me 9 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 42. 30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës e dyta me 20.95 për qind të votave, LDK-ja e treta me 18, 27 për qind të votave, ndërsa AAK-ja me 7,06 për qind të votave.
Osmani pret sot përfaqësuesit e partive politike në takim
A.B| RTKLive
(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar për sot partitë parlamentare për një takim mbi caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare
Takimi është thirrur për në orën 10:30.
Në ftesën që u është dërguar partive thuhet: “Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili ka konfirmuar për RTKLive se në takim do të marrë pjesë kryetari Ramush Haradinaj.
“Po kemi pranuar ftesën, në takim do të marrë pjesë kryetari Haradinaj”, tha Xhemaili.























