Peci: Preferojmë 28 dhjetorin për mbajtjen e zgjedhjeve
A.B / RTKlive
Faton Peci drejtues i Partisë Guxo, pas përfundimit të takimit në Presidencë, tha se data që ata e kanë dhënë si propozim për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është 28 dhjetori.
“Pati diskutime të ndryshme rreth opsionit më optimal dhe të favorshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në mes dy datave 21 e 28 dhjetor, ne kemi preferuar datën 28 dhjetor. Arsyet janë të thjeshta për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve lokale. Për shkak të nevojës që të kemi përgatitje më të mirë edhe nga KQZ edhe të partive politike, por njëkohësisht edhe për nevojën e të organizimit më të mirë edhe të ambasadave e konsullatave në vendet e BE-së por edhe përtej në SHBA, ky ishte propozimi ynë”, tha Peci.
Ai tregoi se kishte propozuar që të mbahej një seancë ku do të shqyrtoheshin disa pika të rëndësishme, përfshirë buxhetin e RTK-së, por tha se nuk pati dakordim nga parti të tjera.
“Ne si Guxo kemi dhënë qëndrimet e propozimet tona, që të shqyrtohet mundësia që sot të kishin edhe një seancë të radhës në mënyrë që të adresonim disa prej problemeve që rrezikojnë kategori të caktuara të mbesin pa paga siç janë punëtorët e RTK-së, pastaj për mundësinë e zgjatjes buxhetore ose çfarëdo pike e rendit të ditës që ka qenë propozim në seancën e parë të orës 11:00 dje. Nuk kishte dakordim nga shumica e partive politike për t’i adresuar nevojat elementare, jetike për disa kategori të ndryshme shoqërore, dhe rrjedhimisht pas mungesës së vullnetit politik, presidentja nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse presidentja të firmosë shpërbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.























