Kosova nga zgjedhjet në zgjedhje
Valmira Saraçi|RTKlive
Me dekret nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shpërndarë legjislatura e nëntë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Vendimi u mor pas takimit që e para e shtetit pati me drejtues të partive parlamentare në zyrën Presidenciale, aty ku u diskutua data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që më pas nga ajo u caktua 28 dhjetori.
Vendi do t’i nënshtrohet procesit të jashtëzakonshëm zgjedhor, pas dështimit një ditë më parë që Glauk Konjufca si mandatar i dytë të merrte votëbesimin në Kuvendin e Kosovës për krijimin e qeverisë së re.
Ai arriti t’i siguronte vetëm 56 vota për, po aq sa kishte siguruar shefi i tij në parti, Albin Kurti me 26 tetor, kur dështoi si mandatar i parë t’i siguronte 61 vota të domosdoshme, për ta bërë qeverinë ‘Kurti3”.
Vendi kishte mbajtur zgjedhjet e rregullta parlamentare, me 9 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 42. 30 për qind të votave, duke siguruar 48 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës e dyta me 20.95 për qind të votave, me 24 ulëse bë Kuvend, LDK-ja e treta me 18, 27 për qind të votave, me 20 ulëse të deputetëve, ndërsa AAK-ja bashkë me Nismën me 7,06 për qind të votave, siguruan 8 ulëse.
Lista Serbe pati nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara, pasi një e siguroi Nenad Rashiq me partinë e tij, derisa dhjetë ulëse të tjera i kishin përfaqësuesit e komuniteteve të tjera joserbe.
Seanca e parë me ligjvënësit e zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit ishte mbajtur me 15 prill, kryesuar nga deputeti më i vjetër i legjislaturës, Avni Dehari e ajo më e re, Sala Jashari.
Por, deputetët arritën të betoheshin katër ditë pas, me 19 prill, kjo pasi pati kundërshtime nga partitë për komisionin që do të verifikonte mandatet e deputetëve, duke kërkuar që fillimisht ministrat në detyrë që ishin zgjedhur deputetë të jepnin dorëheqje nga postet ekzekutive.
Kuvendi nuk arriti të zgjidhte kryetarin deri më 26 gusht, kur Dimal Basha mori këtë post, pas shumë dështimesh të njëpasnjëshme që, Albulena Haxhiu, të zgjidhej në krye të legjislativit, ndonëse ishte ndërruar edhe forma e votimit, nga e hapur në të fshehtë.
Kriza disamujore erdhi si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, që bazuar në rezultatin zgjedhor asnjëra nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.
Në maj, AAK-ja me mbështetjen edhe të të tjerëve i ishin drejtuar Kushtetueses e cila më 26 qershor, përmes Aktgjykimit kishte urdhëruar deputetët të konstituonin Kuvendin brenda 30 ditësh, përmes votimit të hapur, duke përcaktuar që në votim nuk mund të dilte i njëjti kandidat më shumë se tre herë.
Pas konsumimit të këtij afati 30 ditor, pa konstituim, më 24 korrik Kushtetuesja kishte vendosur masë të përkohshme përmes së cilës kishte ndaluar çdo vendim apo veprim të deputetëve, nga 27 korriku deri më 8 gusht, pas kërkesës për interpretim nga PDK e LDK.
Më 18 gusht Gjykata Kushtetues e publikoi Aktgjykimin e plotë, derisa dy ditë pas Kuvendi iu rikthye seancave të vazhduara çdo 48 orë deri më 26 gusht kur Basha arriti të bëhej kryetar.
Në po të njëjtën ditë u zgjodhën edhe tre nënkryetarët shqiptarë, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga PDK-ja e Kujtim Shala i LDK-së.
Mbështetje me votë për nënkryetare arriti të merrte edhe, Emilja Rexhepi, pasi u vendos që votimi për të, të bëhej i ndarë nga nënkryetari serb.
Konstituimi ngeci tek nënkryetari serb, meqë Lista Serbe refuzoi të ndërronte emrin e të propozuarit të tyre, Slavko Simiqit i cili kishte konsumuar tri herët e lejuara për propozim, rregull i përcaktuar me Aktgjykim.
Kështu kryetari i Kuvendit, shfrytëzoi të drejtën për votim përmes shortit, ku tërhoqi disa emra të deputetëve serb që nuk morën votat e mjaftueshme, njëjtë sikurse nuk arriti t’i merrte votat as, Nenad Rashiq.
Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 30 gusht, por as këtë herë Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte nënkryetarin e pestë që i takonte komunitetit serb, derisa u konsumuan të gjithë emrat e deputetëve serb që përmes shortit nuk arritën t’i siguronin votat e nevojshme. Basha e shpalli Kuvendin të konstituuar meqë konsideroi se edhe pa një nënkryetar, Kryesia kishte kuorumin e nevojshëm.
Por, Lista Serbe për këtë iu drejtua Kushtetueses e cila më pas vendosi me aktgjykim se Kuvendi nuk mund të konsiderohej i konstituuar pa zgjedhjen edhe të nënkryetarit serb.
Gjykata Kushtetuese njëzëri vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ndaloi deputetët të ndërmerrnin veprime siç ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re. Kjo masë ishte në fuqi nga data 5 deri më 30 shtator.
Seanca konstituive e nisur më 15 prill arriti të merrte epilog pas gati gjashtë muajsh, me 10 tetor kur u zgjodh nënkryetar i pestë i Kuvendit, Nenad Rashiq.
Ai u bë nënkryetar pasi 9 deputetët nga Lista Serbe nuk arritën t’i merrnin votat e nevojshme për këtë pozitë në votimin që u zhvillua me short.
Një ditë pas, më 11 tetor presidentja Osmani mandatoi liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti për formimin e qeverisë. Ai pati 15 ditë kohë për krijimin e saj, por që dështoi ta merrte besimin e deputetëve më 26 tetor.
Më 4 nëntor, Osmani mandatoi Glauk Konjufcën për krijimin e qeverisë së re, pasi partitë tjera u deklaruan se nuk i dërgojnë emër mandatari, por vetëm kërkonin zgjedhje.
Mandatimi i tij erdhi pasi Konjufca mori besimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Vetëvendosje e quajti këtë kompromis për dalje nga kriza.
Edhe Konjufca shfrytëzoi periudhën 15 ditore siç i garantoi Kushtetuta, deri kur të mërkurën dështoi të krijonte qeverinë, ‘Konjufca1’ për çka u hap rruga për zgjedhje të jashtëzakonshme.























