BE premton afrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor
A.B/RTKLive
(E plotësuar, ora 12:55)Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se gjatë takimit është diskutuar gjerësisht mbi mënyrat për të përshpejtuar zbatimin e reformave dhe rritjes në vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin që ato të kthehen në histori suksesi për qytetarët e rajonit.
“Sot kemi pasur diskutime të hapura mbi mënyrat e ndryshme për të përshpejtuar zbatimin e rritjes, si dhe për ta bërë planin një histori suksesi që sjell rezultate për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Folëm edhe për zgjerimin e nocionit të integrimit, por mbi të gjitha për t’ju afruar ju sa më shpejt Bashkimit Evropian në sa më shumë fusha. Duam që kjo të bëhet realitet i përditshëm në vendet tuaja”, u shpreh Kos në konferencën e përbashkët për media me Ramën.
Rama: Plani i rritjes, urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut evropian
(E plotësuar, ora 12:40) Kryeministri Edi Rama e cilësoi samitin si një takim të frytshëm që përmes planit të ri të rritjes, Ballkani Perëndimor po vijon të jetë gjithmonë e më afër drejt tregut të përbashkët evropian.
Gjatë konferencës për shtyp pas samitit, Rama deklaroi se takimi shërbeu për të bërë një bilanc për të vlerësuar rezultatet e nismave të përbashkëta dhe për të nënvizuar angazhimet e reja.
“Samitit për të bërë një bilanc të periudhës mes samiteve dhe rezultatet e nismave të përbashkëta dhe nënvizuar angazhimet e reja dhe për të ndjekur në mënyrë të detajuar kalendarin e detyrave që ka çdonjëri nga shtete e Ballkanit në raport me planin e ri të rritjes. Sot kemi mbyllur një takim të frytshëm me hapa konkret të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me BE, duke konfirmuar se plani i ri i rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian”, tha Rama.
Nga Samiti i BE-së, 54 milionë euro për transportin në Ballkanin Perëndimor
(E plotësuar, ora 12:20) Gjatë samitit “Rruga drejt BE-së” në Tiranë, u njoftua miratimi i një granti prej 54 milionë eurosh, i cili do të shkojë për programin e transportit të sigurt dhe të qëndrueshëm, i administruar nga Banka Botërore.
Programi ka si objektiv përmirësimin e sigurisë rrugore dhe hekurudhore, përfshirë dixhitalizimin e proceseve, promovimin e praktikave të gjelbra dhe lehtësimin e tregtisë përmes pikëkalimeve kufitare.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore theksoi se bashkëpunimi për këtë projekt është zhvilluar në mënyrë të ngushtë dhe në harmoni mes vendeve përfituese, duke e cilësuar grantin si një paketë unike investimesh, i cili synon ta afrojë rajonin e Ballkanit Perëndimor më pranë Bashkimit Europian.
“Miratimi i grantit 54 mln euro që shkojnë për programin e transportit të sigurt dhe të qëndrueshëm që administrohet nga Banka botërore. Ne po bashkëpunojmë shumë ngushtë dhe do thoja edhe gati në harmoni për këtë projekt. Programi ka të bëjë me përmirësimin e sigurisë rrugore dhe hekurudhore. Ka të bëjë me dixhitalizimin dhe koristë e gjelbra dhe për të lehtësuar përmes përmirësimit të pikëkalimeve kufitare të tregtisë përmes vendeve përkatëse. Ky grant i ri është një paktë unike investimesh që synon ta sjellë rajonin më pranë BE-së”, tha ajo.

Kos: Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor
(E plotësuar, ora 10:20) Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, tha nga Tirana se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor. “Shtëpia e juaj po ju pret dhe ju jeni pjesë e Evropës”, tha ajo në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ku do mbledhë në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Ajo e ka cilësuar si një gabim të së kaluarës vonesën në procesin e integrimit të rajonit. Ajo theksoi se BE duhet të përshpejtojë hapjen e dyerve për vendet aspiruese dhe të forcojë bashkëpunimin institucional.
“Tashme është një çështje me të cilën po punojmë dhe gjithmonë e më shumë kjo çështja ka të bëjë më sigurinë dhe Evropa nuk mund te jetë e sigurt pa BP dhe ky është një gabim që kemi bërë në shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë dhe ta rregullojmë dhe jam e kënaqur që këto takime që po bëjmë për planin e rritjes po bëjnë gjithmonë e më shumë dyer dhe ju përmendët 7 prej tyre dhe shumë dyer të tjera do të hapen. Ju jeni pjesë e Evropës dhe ne thjeshtë duhet ta bëjmë këtë edhe në formë institucionale, që ju të bëhen shtet anëtar Evropian”, u shpreh Kos.
Ajo gjithashtu tha se janë bërë dy vite nga katër që prej nisjes së zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe se ky është momenti i duhur për të vlerësuar progresin. Kos theksoi se dy nga vendet e rajonit nuk kanë nisur ende zbatimin e reformave, ndërsa dy vendet më përparuara kanë realizuar vetëm rreth 50% të reformave të dakorduara.
Sipas saj, ekziston një lidhje e qartë midis ritmit të zbatimit të reformave dhe avancimit në procesin e anëtarësimit. “Kemi mbushur dy vjet që nga fillimi i zbatimit të Plani i Rritjes për Ballkani Perëndimor, 2 vite nga 4 dhe tani është momenti i duhur për të biseduar. Por të jemi të sinqertë dy nga vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë reformat apo zbatimi. Dy më të mirët kanë zbatuar rreth 50% te reformave të dakordsuar dhe shohim një lidhje shumë të mirë midis avancimit në procesin e anëtarësim dhe reformave”, tha ajo.
Në Tiranë filloi Samiti i Planit të Rritjes së BE-së

Rama: Ballkani Perëndimor ecën përpara
( e plotësuar, ora 10:10) Kryeministri i shqipërisë Edi Rama gjatë samitit “Rruga jonë drejt BE” theksoi se Ballkani Perëndimor ka zgjedhur të ecë përpara së bashku, duke përdorur planin e rritjes si udhërrëfyes, jo drejt Brukselit si një pritje pasive, por drejt lirive dhe mundësive të tregut të përbashkët evropian.
“Për shkak të mosmarrëveshjeve të vjetra, kemi humbur trenin, në vend që të merrnim një biletë. Europa nuk ka qëndruar në pritje, por ka vepruar, dhe as ne nuk mund të shtyjmë punën e sotme. Bashkë duhet të ndërtojmë atë që na takon sot,” tha Rama.
Ai përmendi se tarifat e roaming-ut për qytetarët do të ndihen në 2026, ndërsa Shqipëria do t’i aplikojë ato përfundimisht në prill të 2026.
“Tarifat roaming qytetarët do e ndjejnë në 2026 në xhepat e tyre, Shqipëria do i përfundoj deri në prill të 2026. Do jetë suksesi ynë i ardhshme për SEPA-s. Roaming nuk ka të bëjë me tarifat telefonike por me heqjen e një tarife tjetër mes nesh dhe Evropës. Ne e kemi nisur këtë proces në Shqipëri, dhe nga viti i ardhshëm do të bëhet pjesë e jetës sonë, duke na afruar më shumë me Evropën. Kur BE të nisë me procesin e anëtarësimit në 2027, ne do të jemi gati për pritjen aty,” shtoi Rama.
Ai përmendi gjithashtu përparimin në pikëkalimet kufitare, duke thënë se është rënë dakord për 16 pikë përmirësimi.
Samiti “Rruga jonë drejt BE”, Rama pret liderët e Ballkanit dhe Komisioneren Kos
Në kuadër të samitit “Rruga jonë drejt BE”, Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të premte, 21 nëntor, në Tiranë liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.
Gjatë pritjes zyrtare në Pallatin e Brigadave, Rama u takua gjithashtu me përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit, përfshirë edhe përfaqësuesen e Bosnjë-Hercegovinës, kryeministrin në detyrë e Kosovës, Albin Kurti, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickocski, si dhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, të cilët marrin pjesë në samit si pjesë e diskutimeve për integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal.
Samiti synon të thellojë dialogun mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në proceset e reformave, projektet e përbashkëta dhe sfidat rajonale në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Mbahet Samiti i Planit të Rritjes të BE-së, Kurti përfaqëson Kosovën
Shqipëria do të mirëpresë sot Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ku do mbledhë në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos. Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Diskutimet për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, do të jenë në fokus të punimeve të këtij samiti.
Sipas agjendës së bërë publike, liderët do të mbërrijnë në orën 09:30, për t’iu bashkuar punimeve të samitit i cili do të nisë në orën 10:00.
Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos do të mbajnë fjalët hapëse dhe pas përfundimit të punimeve të samitit, në orën 11:30 do të realizohet fotoja familjare.
Më pas, në orën 11:35 Kryeministri Rama dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.























