Pezullohet trafiku në kryeqytet, protestohet para komunës dhe qeverisë
RTKlive
Punëtorët e “Trafikut Urban” në Prishtinë janë nisur drejt objektit të Qeverisë për të vazhduar protestën e tyre për pagat e papaguara, pasi paraprakisht protestuan para Komunës së Prishtinës. Në mesin e tyre është edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se e ndjen dhimbjen për punëtorët dhe falënderoi për kontributin e tyre.
Kryetari i Sindikatës, Ilmi Gashi, tha se punëtorët janë të gatshëm të rikthehen menjëherë në punë nëse marrin përgjigje pozitive nga komuna. Ai theksoi se punëtorët nuk kanë marrë rrogat për dy muaj, ndërsa borxhi ndaj furnitorëve ka arritur mbi 1.6 milionë euro.
Gashi theksoi se problemi nuk është politik, por çështje mbijetesë e ndërmarrjes dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar takim me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të diskutuar situatën.
“E ndjej shumë, për të gjithë këta punëtorë këtu që janë të papaguar, faleminderit për të gjithë punën që e keni bërë për tërë këta muaj për t’i shërbyer qytetarët e kryeqytetit përkundër sabotazhave”, ka thënë Rama.
Pezullohen të gjitha linjat e trafikut në kryeqytet, shkak mospagesa
(E plotësuar) Transportuesit privatë në Prishtinë po protestojnë para Komunës së Prishtinës, pasi që kjo e fundit ka marrë vendim që të pezullojë të gjitha linjat për shkak të mospagesës nga komuna. Protestës së tyre pritet t’u bashkohen edhe punëtorët e “Trafikut Urban”, të cilët gjithashtu e kanë pezulluar punën.
Javën që shkoi, si transportuesit privatë ashtu edhe “Trafiku Urban” njoftuan se ofrimi i shërbimit të transportit publik do të pezullohet plotësisht nga sot, për shkaqe financiare.
Problemet me pagesat e shërbimeve në Komunën e Prishtinës kanë ardhur si pasojë e mosmiratimit të buxhetit të komunës për vitin 2025.
S’ka transport publik, ‘Trafiku Urban’ ndërpren e qarkullimin e linjave

“Trafiku Urban” ka njoftuar se nga sot do të ndërpritet qarkullimi i të gjitha linjave. Sipas kësaj ndërmarrjeje komunale, kjo vjen si pasojë e vështirësive financiare.
Në njoftim thuhet se “gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna”.
Ndërmarrja shpreh keqardhje për pasojat që kjo ndërprerje do t’u shkaktojë qytetarëve dhe sqarojnë se qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet ndaj ndërmarrjes.
Sipas njoftimit, ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës kanë krijuar një situatë të paqëndrueshme që i ka detyruar të pezullojnë shërbimin.
Duke kërkuar falje ndaj qytetarëve, “Trafiku Urban” njofton se transporti publik do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve.























