Aprovohet kërkesa për leximin e dëshmisë së babait të Naim Murselit
BKT
Lajme

Aprovohet kërkesa për leximin e dëshmisë së babait të Naim Murselit

Sh.Ç|RTKlive

(E plotësuar) Në seancën e sotme ndaj Naim Murselit, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ishte i pranishëm babai i Naim Murselit, Shaban Murseli.

Gjyqtarja Fatime Dermaku tha se Shaban Murseli, të premten kishte kontaktuar gjykatën përmes një numri telefoni suedez dhe për këtë arsye nuk mund të ishte prezent në shqyrtimin gjyqësor.

Prokurorja propozoi që të lexohej si provë dëshmia e tij, propozim i cili u aprovua nga pala e dëmtuar, avokatët e të akuzuarve dhe vetë i akuzuari Naim Murseli.

Trupi gjykues miratoi propozimin dhe filloi leximin e deklaratës së dëshmitarit Shaban Murseli.

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Sot mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt. Seanca po zhvillohet në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë tre të akuzuarit për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.

Dy të akuzuarit e parë kishin pretenduar se kanë çrregullime mendore, por Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se asnjëri prej tyre nuk ka pasur problematika të tilla shëndetësore gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Ndërkaq, Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.

Fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj, i cili, pasi pranoi fajësinë, u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.


MË SHUME NGA Lajme