Buxheti për zgjedhjet e 28 dhjetorit 7.7 milionë euro
V.S|RTKlive
( E plotësuar) Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, Kosovës do t’i kushtojnë 7.7 milionë euro.
Votimi i këtij buxheti u bë pas një diskutimi të gjatë që u bë në tavolinën njëmbëdhjetë anëtarësh të KQZ-së, pasi aty u bë e ditur se buxheti nuk kishte kaluar të shtunën në takimin e Këshillit për Operacione Zgjedhore.
“Me sa di buxheti nuk e ka marrë dritën jeshile as në Këshillin e Operacioneve Zgjedhore. Pse nuk është votuar, ose nuk ka kaluar"?, pyeti Muharrem Nitaj, anëtar i KQZ-së nga AAK-ja.
Besnik Buzhala nga Sekretariati i KQZ-së tha se pikërisht kjo është arsyeja pse ata e sollën buxhetin në mbledhjen e sotme të KQZ-së për diskutim. Tha se miratimi i tij është urgjent.
“Miratimi i buxhetit është pak urgjent, sepse prej momentit të miratimit në KQZ, i dërgojmë kërkesë Ministrisë së Financave kur pas alokimit të mjeteve të fillojmë me operacionet zgjedhore që lidhet edhe me procedurat tenderuese e të tjera”, tha ai.
Arianit Elshani nga Këshilli për Operacione Zgjedhore sqaroi pse buxheti nuk ka kaluar në këtë këshill.
“Arsye pse nuk ka kaluar në Këshillin për Operacioni Zgjedhore është për shkak të një aktiviteti të vetëm për të cilin nuk është paraparë për të, që është dërgimi i fletëvotimeve me zarfe dhe zarfe të fshehtësisë për votuesit jashtë vendit. Pra, çka është kërkuar nga anëtarët e Këshillit për Operacione Zgjedhore dhe çka nuk është paraparë në rekomandimin e dhënë nga Sekretariati, nuk është ndarë buxhet për me i nda diasporës që atyre tu dërgohet personalisht zarfi me fletëvotime. Kemi kërkuar të kemi raporte të detajuara të komunikimeve me këtë çështje, dhe për anashkalimin që i është bërë rregullës zgjedhore”, tha ai.
Alban Krasniqi që është anëtar i LVV-së në KQZ, tha se ky ishte diskutim që kishin bërë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, për çka ka kërkuar të publikohen edhe incizimet e diskutimeve për këtë punë.
“Çuditërisht kolegët se di, ndoshta memoria iu ka shlyer apo kanë dashur të iu shlyhet memoria. Kjo tregon se nuk ka besueshmëri të ndërsjellë dhe rritet një lloj pabesueshmërie ndaj secilës gjë që e flasim”, tha Krasniqi, i cili ka kërkuar që t’i sigurojë incizimet edhe të mbledhjes së KQZ-së edhe ato të diskutimit në Këshillin për Operacione Zgjedhore e edhe në Tiranë kur tha se kanë pasur punëtorinë dhe kanë diskutuar këto modalitete”, tha Krasniqi .
“Ndoshta është mirë me u rezervuar prej cilësimeve, a na punon memoria mirë po ajo, ne secili jemi anëtarë të këtij komisioni dhe secili e dimë çka kemi diskutuar e miratuar”, ishte replika e Ilir Gashit të PDK-së ndaj Krasniqit të LVV-së.
“Parimisht konsideroj që buxheti nuk ka kaluar në Këshillin për Buxhet duhet të kthehet prapa. Ky buxhet nuk garanton integritet të procesit zgjedhor, është buxhet që bie ndesh me Rregullën Zgjedhore”, deklaroi Gashi.
Sami Hamiti nga LDK-ja në KQZ tha se kanë pasur mendime të kundërta në Këshillin për Operacione Zgjedhore për këtë çështje.
“Një është e sigurt se në bazë të Rregullës Zgjedhore të përcaktuar, fletëvotimi duhet të shkojnë me postë. Diskutimet të cilat mund të kenë qenë, askush nuk i ka ndaluar të futen në rregullore. Askush nuk na ka ndaluar që kjo pjesë vlen për zgjedhje të rregullta e ky tjetri për zgjedhje të jashtëzakonshme. Me 9 shkurt ka qenë një proces i cili ka qenë i lënduar, i kontaminuar. Unë jam kundër të prishim procesin zgjedhor”, tha Hamiti.
Sami Kurteshi anëtar i KQZ-së nga LVV-ja, tha se po duket qartë preferenca e secilit sa i përket votimit të mërgatës.
“Kishte me qenë shumë absurde të futet në buxhet diçka që e di që saktësisht rezultatin e ka zero, veç me shpenzuar kot. Meqenëse është kështu, detyrë e Sekretariatit edhe e KQZ-së është t’i gjejë metodat më të lehta, mos të lejojë të lëndohet procesi. Ne jemi pajtuar, në shkurt ka pasur lëndim, thjesht manipulim votash edhe atë nga dhjetëra e mijëra, nuk është diçka të fshihet”, deklaroi Kurteshi.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se nganjëherë rregullorja po respektohet kur po i konvenon dikujt e kur jo, nuk po respektohet.
“Këtë çështjen e rregullores kur po ju konvenon po respektojmë, e kur nuk po na konvenon nuk po i respektojmë. Rregullore edhe për çështje tjera, njëra prej çështjeve është aplikimi për certifikim. Asnjëherë nuk ka ndodhur më herët të aplikojë partia e pastaj lista e kandidatëve, asnjëherë nuk e kemi pasur më herët këtë rregull. Kjo çështja e votimit jashtë vendit përmes dërgesës së fletëvotimit atje. Ju e dini që unë e kam votuar kundër në maj, atëherë kur e kemi ndryshuar rregulloren dhe unë këtu i kam besuar ekspertizës së Sekretariatit. Kanë qenë të qartë se ‘nuk mundemi me i realizuar. Kjo u pa që në balotazh ka qenë koha e shkurtër e nuk ka mundur të realizohet si duhet. Tash është koha edhe më e shkurtër. Përveç kësaj i kemi dy konfirmime nga PTK dhe nga DHL që thonë se nuk mund të realizojnë një aktivitet të tillë. Tash ne jemi në një situatë kur kemi njohuri që nuk mund të realizohet, dhe tentojmë në vazhdimësi të ndërmarrim veprime që nuk mund të realizohen, është një fakt që e kanë bërë të qartë institucionet postare”, tha Radoniqi.
Radoniqi tha se do të ishte mirë që Këshilli për Buxhet të mblidhej menjëherë pas takimit, për shkak të urgjencës që duhet kaluar buxheti për zgjedhje.
KQZ-ja vendosë kufizimin e shpenzimeve për fushatë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, pra jo më pak se një (1) euro për votues të regjistruar.
KQZ-ja thotë se kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve është 2,076,422.
Vlera totale e buxhetit të planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit kapë shumën prej 7. 7 milionë euro.























