Në Toronto inaugurohet “Fondacioni Artistè” i grave shqiptare në Kanada
RTKlive
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto ka mirëpritur fundjavën që lamë pas inaugurimin zyrtar të “Fondacionit Artistè”, një nismë e rëndësishme e një grupi grash shqiptare në Kanada, e përkushtuar në fuqizimin dhe promovimin e talenteve artistike të grave shqiptare në Kanada dhe më gjerë.
Ngjarja u zhvillua në bashkëpunim me përfaqësuesin e konsullatës Kadri Dakaj dhe mblodhi së bashku përfaqësues të lartë diplomatikë, përfshirë Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, dhe ambasadoren e Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo.
Sipas njoftimit mbrëmja u pasurua me performanca artistike nga Emerging Artist SAHATI, violinistja Klea Cani, vokalistja Tringa Rexhepi, instrumentisti Scott Christian, si dhe ansambli i valleve “Shqiponjat e Vogla” nën drejtimin e Ramazan Kellezit.
Ngjarja mirëpriti edhe folës dhe të ftuar të shquar, mes tyre Kathy Large nga CBC Radio-Canada dhe producenti i nominuar për çmimin Oscar Arsim F. Rexhepi, si dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Kanada, personalitete të medias dhe organizata të rëndësishme të diasporës.
Fondacioni Artiste shprehu mirënjohje të veçantë për ekipin e grave që qëndrojnë pas kësaj nisme, si dhe për sponsorët e komunitetit shqiptar.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës u shpreh e nderuar për mbështetjen e kësaj iniciative kulturore dhe ritheksoi përkushtimin për të qenë një hapësirë e hapur për projektet që forcojnë komunitetin shqiptar në Kanada.
Fondacioni Artiste shënon kështu kapitullin e parë të një misioni të ri për promovimin e artit, kulturës dhe zërit të grave shqiptare – një rrugëtim që sapo ka filluar.
Fondacioni Artiste u themelua nga Arta Rexhepi, vajza e piktorit të mirënjohur Zeqirja Rexhepi.

























