Ka ndërruar jetë këngëtari Shpat Kasapi
Besnik Iseni / RTK-Shkup
Këngëtari i njohur i pop-muzikës shqiptare, Shpat Kasapi, ka ndërruar jetë sot herët në mëngjes si pasojë e një sulmi në zemër. Artisti nuk ka arritur t’i mbijetojë atakut kardiak, ndërkohë që, sipas familjarëve, më herët nuk kishte pasur probleme shëndetësore.
Për ndarjen nga jeta të këngëtarit ka reaguar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen, miqtë dhe komunitetin artistik shqiptar.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi. Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësonin artin e tij. Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet”, ka shkruar Mexhiti.
Po ashtu ngushëllime për familjen dhe komunitetin e artistëve ka shprehur edhe kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, i cili thotë se sot qyteti humbi birin e saj dhe artistin e madh.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ikjen nga kjo botë të këngëtarit tetovar Shpat Kasapi. Tetova humbi birin e saj dhe një artist të madh, i cili ndër vite ka qëndruar në majat e suksesit! Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë qytetarëve të Tetovës për këtë humbje kaq të madhe! Allahu e shpërbleftë me xhenet!”, ka shkruar ai.
Shpat Kasapi ishte një nga emrat më të dashur të skenës muzikore shqiptare. I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore, e cila ndikoi në formimin e tij artistik.
Ndër hitet e tij më të njohura janë: "Valle Kosovare", "A më do?", "Dashni pa limit", "Aroma e saj", ndër të tjera, këngë që e bënë një artist të dashur dhe të pranishëm në skenën muzikore për vite me radhë.
Shpat Kasapi la pas vetes një djalë trevjeçar.























