Vdekja e Shpat Kasapit, Ministria e Kulturës përcjell ngushëllime familjes
RTKlive
Vdekja e parakohshme e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi ka prekur publikun dhe komunitetin artistik. Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen Kasapi.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi. Ikja e tij e papritur ka prekur zemrat e të gjithëve”, thuhet në telegramin e ministrit Hajrulla Çeku.
Ministria vlerëson kontributin e Kasapit në muzikë, duke theksuar se “me zërin, punën dhe prezencën artistike, ai arriti të bashkonte publikun anembanë trojeve shqiptare”.
“Kontributi i tij mbetet i pashlyeshëm dhe kujtimi për të do të jetojë gjatë”, shtohet tutje.
Në emër të Ministrisë së Kulturës, ministri në detyrë, Hajrulla Çeku u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë artdashësve që e kanë vlerësuar veprën e tij.























