Alokimi i buxhetit për RTK-në, sindikalistët përfundojnë grevën
BKT
Në Fokus

Alokimi i buxhetit për RTK-në, sindikalistët përfundojnë grevën

RTKlive

(E plotësuar, 15:35) Pas katër ditësh greve të organizuara nga punëtorët e Radio Kosovës, Shoqata Sindikale e Radio Kosovës njofton të gjithë punëtorët se pas vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e buxhetit për RTK-në, greva përfundon.

“Gjatë kësaj periudhe, punëtorët e RTK-së dëshmuan bashkim, përgjegjësi dhe profesionalizëm të pashoq, duke treguar se misioni i transmetuesit publik nuk mbështetet vetëm në teknologji, por mbi njerëzit që e mbajnë atë në këmbë çdo ditë. Shoqata Sindikale e Radio Kosovës vlerëson lart mbështetjen dhe qëndrueshmërinë që punëtorët treguan, pavarësisht vështirësive. Në të njëjtën kohë, Shoqata Sindikata e Radio Kosovës mirëpret vendimin e institucioneve qeveritare për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për mundësinë e rikthimit të funksionimit normal të RTK-së. Me këtë zgjidhje, u bë e mundur të sigurohet vazhdimësia e shërbimit publik të informimit, që është e drejtë themelore e qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës.

ShSRK tutje thekson se mbetet e përkushtuar për të monitoruar zbatimin e detyrimeve të marra dhe për të vazhduar angazhimet e saj në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe stabilitetit të RTK-së.

“Falënderojmë të gjithë punëtorët për durimin dhe solidaritetin e treguar gjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që vonesat në paga të jenë të fundit dhe të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë për çështjen e financimit të RTK-së”, thekson tutje ShSRK.

SPERTK thotë se mirëpret zhbllokimin e buxhetit të RTK-së

(E plotësuar: 14:42) Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar ndërprerjen e grevës katërditore pas arritjes së një marrëveshjeje për zhbllokimin e situatës me buxhetin e RTK-së.

Në një deklaratë për media, SPERTK falënderoi punëtorët e RTK-së për unitetin dhe vendosmërinë gjatë periudhës sfiduese, si dhe të gjithë ata që dhanë mbështetje profesionale dhe institucionale, përfshirë kryetarët e AGK-së, BSPK-së, SBASHK-ut, juristen e mediave Flutura Kusari, Federatën Evropiane të Gazetarëve, OSBE-në, ambasadat dhe institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe mediat në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.

Sindikata theksoi se gjatë kësaj periudhe nuk pati komunikim adekuat nga ata që janë përgjegjës për sigurimin e stabilitetit të institucionit dhe pagat, gjë që rëndoi situatën dhe krijoi pasiguri të panevojshme.

“Pas veprimeve të ndërmarra nga palët përkatëse, greva ndërpritet si rezultat i hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin e RTK-së dhe krijimin e mundësisë për adresimin e çështjeve të mbetura, që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e transmetuesit publik,” thuhet në njoftim.

SPERTK mirëpriti reagimin e Qeverisë dhe Kryeministrit në detyrë, duke theksuar se ky veprim ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e RTK-së dhe ruajtjen e misionit të saj si transmetues publik.

Sindikata gjithashtu paralajmëroi se RTK vazhdon të funksionojë pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm dhe me pozita kyçe të paplotësuara, duke kërkuar veprime urgjente nga legjislatura e re për kompletimin e Bordit, emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Kryeredaktorit, rritjen e buxhetit dhe të pagave, miratimin e ligjit të ri dhe zgjidhjen e çështjes së pronës dhe objektit të ri.

SPERTK përfundon njoftimin duke theksuar përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe pavarësisë së RTK-së, duke paralajmëruar se nëse hasen situata të ngjashme në janar 2026, greva mund të rikthehet.

Punëtorët e RTK-së edhe sot kanë vazhduar grevën dyorëshe

(E plotësuar: 11: 26) Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) edhe sot kanë vazhduar grevën e përgjithshme për shkak të mos-marrjes së pagave.

Edhe sot ka vazhduar protesta e punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës edhe sot ka vazhduar grevën e përgjithshme për shkak të mos-marrjes së pagave.

Kryetari i SPERTK-ut, Gëzim Bimbashi, edhe sot u bëri thirrje institucioneve të vendit që të kthejnë vëmendjen tek punëtorët e transmetuesit publike, në alokimin e pagave të punëtorëve të RTK-së.

Sipas tij, kjo grevë u drejtohet të gjitha institucioneve të vendit që të kenë vëmendjen ndaj punëtorëve të RTK-së.

Punëtorët e RTK-së vazhdojnë grevën dyorëshe

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) edhe sot vazhdojnë grevën e përgjithshme për shkak të mos-marrjes së pagave.

Sindikalistët e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) kanë njoftuar se punëtorët e transmetuesit publik janë në gjendje jo të mirë sociale, si dhe funksionimi i RTK-së, është “rënduara në skaj”, duke e cilësuar situatën të papranueshme.

Po ashtu, Sindikata ka theksuar se greva do të vazhdojë dhe i bën thirrje të gjithë punëtorëve për mbështetje të plotë në veprimet e tyre, të cilat i konsideron “të drejta dhe ligjore”.

Kreu i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, dje ka deklaruar se ende nuk ka pasur asnjë reagim apo sinjal nga Qeveria e Kosovës për zgjidhjen e situatës.

Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe adresimeve të shumta, institucionet nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë. Ai është shprehur i habitur se si Qeveria arrin të gjejë zgjidhje dhe mjete financiare për çështje të tjera, përfshirë zgjedhjet, por jo për RTK-në, edhe pse transmetuesi publik ka buxhet të ndarë.

Ai ka theksuar se një nismë nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, do të mjaftonte për të proceduar mjetet e nevojshme për RTK-në. Sipas tij, situata është rënduar aq shumë sa rreth gjysma e punëtorëve rrezikojnë të mos paraqiten më në punë, pasi nuk po paguhen për punën e tyre.

Bimbashi ka përsëritur thirrjen drejtuar Qeverisë Kurti që të gjejë zgjidhje sa nuk është bërë vonë. Ai ka theksuar se punëtorët e RTK-së nuk janë të përfshirë në politikë dhe se greva ka vetëm qëllim kërkimin e një të drejte themelore.

Kreu i SPERTK-ut ka paralajmëruar se mungesa e veprimeve institucionale, përfshirë vonesën e miratimit të ligjit të ri për RTK-në, ka çuar transmetuesin publik në një krizë serioze. Ai i ka bërë thirrje edhe partive politike të legjislaturës së ardhshme që të miratojnë ligjin dhe t’i garantojnë RTK-së vazhdimësinë e punës.

Ai ka kujtuar se RTK ka buxhetin më të ulët në rajon për një medium publik dhe se vazhdon të funksionojë edhe me 2.2 milionë euro më pak, mjete të cilat janë hequr pesë vjet më parë.


MË SHUME NGA Në Fokus