Gërvalla: RTK mbetet zëri i publikut falë punës dhe përkushtimit të stafit
RTKlive
Drejtori i Televizionit në RTK-së ka shprehur mirënjohjen e tij për stafin e RTK-së, duke vlerësuar qetësinë, maturinë dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës së fundit, të karakterizuar nga sulme dhe presione politike.
Drejtori i Televizionit në RTK, Rilind Gërvalla pas ndarjes së buxhetit për RTK-në nga ekzekutivi në detyrë ka shprehur mirënjohjen e tij për stafin e RTK-së, duke vlerësuar qetësinë, maturinë dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës së fundit, të karakterizuar nga sulme dhe presione politike.
“Sot dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për qetësinë, maturinë dhe profesionalizmin që keni treguar gjatë ditëve të fundit. Në një kohë kur sulmet politike dhe presionet e pavend janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, ju u përgjigjët jo me zhurmë, por me punë; jo me polemika, por me integritet. Ndërkohë që ‘gjuetarët’ politikë bënin thirrje për t’u bashkuar në partitë e tyre, kritikonin procesin vullnetar për zgjidhje dhe luteshin për dështimin tonë duke u bërë pengesë, ata kërkonin t’ua lënë publikun mediave të oligarkëve dhe mediave hibride. Por ju zgjodhët një rrugë krejt tjetër: rrugën e besimit kolegial, të urtësisë dhe të përgjegjësisë profesionale. Kjo tregon jo vetëm karakter, por edhe standard. Tregon se RTK nuk mbahet në këmbë nga zhurma e jashtme, por nga puna e brendshme, nga secili prej nesh”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Tutje ai theksoi se stafi i RTK-së nuk u ndikuan nga presionet e jashtme dhe nga përpjekjet për të ndikuar në punën e transmetuesit publik.
“Ju falënderoj sinqerisht që nuk u tundët nga provokimet, nga neglizhenca apo nga ata që duan mbylljen e RTK-së në emër të kinse mbrojtjes së saj, duke u fshehur pas titujve si avokues të mediave apo maskave të “mbrojtjes së gazetarëve”. Ju nuk lejuat që agjenda të huaja të ndikojnë në punën tonë dhe çdo sfidë e kthyet në motivim për të punuar edhe më mirë. Kjo është arsyeja pse RTK vazhdon të mbetet një institucion i besuar publik: sepse ju e mbani në këmbë me profesionalizëm, me përkushtim dhe me etikë”, ka shkruar tutje Gërvalla.
Ai shtoi se transmetuesit publik do të vazhdojë të mbetet zë i qytetarëve dhe jo i grupeve të interesit.
“Do të vazhdojmë të mbrojmë pavarësinë profesionale dhe të dëshmojmë se gazetaria e drejtë dhe e paanshme nuk frikësohet, sepse ka në krah njerëz të ndershëm, siç jeni shumë prej jush. Ju faleminderit për punën, dinjitetin dhe besimin. Jemi bashkë në këtë rrugë dhe bashkë do të vazhdojmë ta mbrojmë dhe ta ndërtojmë RTK-në që qytetarët e meritojnë. Ecim para me projekte të reja”, ka nënvizuar Gërvalla.























