LDK: Vetëvendosje po zhvillon fushatë mashtrimi pas bllokimit të Prishtinës
RTKlive
Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për “fushatë të radhës së mashtrimit politik” lidhur me procesin e bartjes së të hyrave vetanake në Komunën e Prishtinës.
Në komunikatë, LDK thekson se dokumentet zyrtare dëshmojnë qartë se më 21.05.2025, 12.06.2025 dhe 27.06.2025 bartja e të hyrave vetanake ka dështuar “sepse asambleistët e Vetëvendosjes votuan kundër”, çka sipas partisë ka “paralizuar pagesat për shërbimet esenciale” dhe ka dëmtuar funksionimin e kryeqytetit.
Sipas LDK-së, VV po mundohet t’i ikë përgjegjësisë duke pretenduar se ka “zhbllokuar” një proces, të cilin siç thotë LDK “vetë e ka bllokuar tri herë radhazi”.
LDK nënvizon se ka mbrojtur vazhdimisht stabilitetin financiar të Prishtinës “në çdo seancë”, ndërsa akuzon Vetëvendosjen se ka “punuar sistematikisht kundër interesit të qytetit për t’i shërbyer interesave të veta partiake”. Partia shton se “nuk ka asnjë fakt, asnjë votë dhe asnjë procesverbal” që mbështet pretendimet e VV-së, ndërsa “çdo dokument dëshmon bllokimin e tyre të hapur”.
Në komunikatë, LDK thekson se qytetarët e Prishtinës duhet ta dinë se “ata që sot po dalin me fjalë të mëdha kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit” dhe se pikërisht ata kanë “shkaktuar vonesa e rreziqe financiare”, duke u përpjekur tani “të fshihen pas pështjellimit propagandistik”.
"LDK do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetit me vendosmëri dhe integritet, dhe nuk do të lejojë që Prishtina të bjerë pre e taktikave të rrezikshme të Lëvizjes Vetëvendosje", thuhet në komunikatë.























