LVV - Guxo dhe Alternativa prapë shkojnë bashkë në zgjedhjet e 28 dhjetorit
RTKLive
Partia Guxo ka miratuar sot vendimin për t’iu bashkuar një koalicioni parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Alternativa në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Kështu ka njoftuar anëtarja e partisë Guxo, Jeta Statovci.
Në njoftimin e saj në facebook, ka theksuar se ky vendim paraqet një dakordim politik për të vazhduar, siç thuhet, “rrugën e reformave të mëdha”, duke vënë në qendër mbrojtjen e sovranitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.
Statovci u shpreh se koalicioni reflekton vullnetin e përbashkët të subjekteve për të garantuar një qeverisje të përgjegjshme dhe të orientuar drejt qytetarëve. Sipas saj, angazhimi i Guxo-s në këtë marrëveshje politike synon të sigurojë vazhdimësi të proceseve reformuese dhe punës së ndershme institucionale.
“Besojmë në punë të ndershme, përgjegjësi qeverisëse dhe angazhim të pandalshëm për interesat e qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.























