Murati kritikon LDK-në pas vendimit të PZAP-së: Janë kundër diasporës
RTKLIve
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili miratoi ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për ndalimin e hapjes së hapësirave shtesë për votimin e diasporës jashtë lokacioneve zyrtare diplomatike.
Murati tha se është e pakuptueshme, siç u shpreh ai, “pse LDK-ja është kaq kundër diasporës”, duke theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte ofruar lokacione shtesë me qëllim që t’u mundësohej votuesve jashtë vendit një proces më i lehtë dhe më i afërt me vendbanimin e tyre.
“Ministria ka ofruar hapësira shtesë për votim, përveç ambasadave e konsullatave, që diaspora jonë ta ketë sa më afër vendvotimin. LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim, dhe PZAP e miraton ankesën,” deklaroi Murati.
Ai shtoi se veprimet e LDK-së bien ndesh me deklaratat publike të partisë për mbështetjen e diasporës. “Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, por me vepra po shihet që po bën çmos ta pengojë,” tha ministri në detyrë.
Vendimi i PZAP-it pritet të ndikojë në mënyrën se si diaspora do të mund të ushtrojë të drejtën e votës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa reagimet politike për çështjen kanë vijuar të jenë të ashpra në prag të fushatës zgjedhore.























