Mbahet konferenca rreth shërbimeve publike në qendër qytetarët në Kosovë
RTKLive
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) sot mban konferencën “qytetarët të parët” “Drejt shërbimeve publike me në qendër qytetarët në Kosovë”.
Qëllimi i kësaj konference është të diskutohet mbi mënyrat e modernizimit dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike në Kosovë, duke vendosur qytetarin në qendër të reformave të qeverisjes. Diskutimet do të fokusohen në avancimin e procesit të digjitalizimit dhe zvogëlimin e barrës administrative, me synim krijimin e shërbimeve publike më transparente, efikase dhe të qasshme për të gjithë qytetarët.
Gjatë ditës, do paraqiten gjithashtu gjetjet më të fundit të GLPS-së mbi perceptimet e qytetarëve lidhur me cilësinë, qasjen dhe reagimin e institucioneve publike ndaj nevojave të tyre, duke ofruar një pasqyrë të vlefshme mbi performancën institucionale dhe kënaqshmërinë e qytetarëve për shërbimet.
Kjo konferencë do të përmbyllet me reflektime nga iniciativat lokale të zbatuara në Kosovë, të cilat do të paraqesin shembuj praktikë të angazhimit qytetar dhe qasjeve pjesëmarrëse që kanë kontribuar në qeverisje më të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse.























