Mogherini lirohet nga paraburgimi
BKT
Lajme

Mogherini lirohet nga paraburgimi

Gjeraqina Tuhina / RTK-Bruksel

Rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini, është akuzuar zyrtarisht në lidhje me një rast të dyshuar për mashtrim që lidhet me një program trajnimi të financuar nga Bashkimi Evropian për diplomatë të rinj.

Së bashku me të, akuza është ngritur edhe ndaj Stefano Saninos, diplomatit italian dhe zyrtarit të lartë në institucionet evropiane, si edhe ndaj një personi tjetër.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian konfirmoi ngritjen e akuzave të mërkurën në mëngjes. Pas marrjes në pyetje nga autoritetet belge, të tre individët janë njoftuar zyrtarisht për akuzat dhe më pas janë liruar nga paraburgimi, pasi nuk konsiderohen rrezik për arratisje, sipas prokurorit.

Këtyre zhvillimeve u parapriu një bastisje e kryer të martën në ambientet e Kolegjit të Evropës dhe në ndërtesën e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së. Bastisje janë kryer gjithashtu edhe në shtëpitë private të të dyshuarve.

Akuzat lidhen me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ato kanë të bëjnë me procesin për krijimin e Akademisë Diplomatike për trajnimin e diplomatëve të rinj evropianë, tender i cili ishte fituar nga Kolegji i Evropës. Përveç postit të rektore, Mogherini ishte emëruar edhe drejtoreshë e kësaj akademie.

Hetimet synojnë të zbulojnë nëse Kolegji i Evropës kishte qenë i informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes në tender dhe nëse i ishte dhënë sinjal se projekti do t’i jepej atyre para publikimit zyrtar të thirrjes.

Ky rast konsiderohet si një nga skandalet më serioze që ka goditur institucionet evropiane viteve te fundit.


MË SHUME NGA Lajme