Dokumentari `Hora e Arbëreshëve` shfaqet sot në Fakultetin Filozofik
K. K. / RTKlive
Në ambientet e Fakultetit Filozofik sot prezantohet dokumentari “Hora e Arbëreshëve”, i cili sjell në vëmendje historinë, traditat, kulturën dhe identitetin e komuniteteve arbëreshe në Itali, komunitete që prej shekujsh kanë ruajtur gjuhën dhe zakonet shqiptare.
Gazetarja Vita Guhelli theksoi se qëllimi kryesor i dokumentarit ka qenë dokumentimi i këtyre komuniteteve, të cilat prej qindra vitesh kanë ruajtur gjuhën arbëreshe, një variant i vjetër i toskërishtes së gjuhës shqipe si dhe kulturën e tyre në një vend si Italia.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Guhelli tregoi se “Hora e Arbëreshëve” shënon 537 vjet nga themelimi, dhe gjatë qëndrimit të saj atje ajo është fokusuar veçanërisht në dokumentimin e pjesës muzikore, pasi pikërisht përmes këngëve arbëreshët vazhdojnë të ruajnë dhe transmetojnë gjuhën e tyre.
“Ishte sfiduese në fillim, por kur shkova atje, falë mikpritjes dhe bashkëpunimit që pata, gjithçka u bë më e lehtë. Ky dokumentar ka qenë qëllimi im për të dokumentuar këtë komunitet, sepse më shumë e njohim komunitetin arbëresh të Kalabrisë, ndërsa ai i Sicilisë është pak më në hije, prandaj desha ta vë në pah,” shtoi ajo.























