KQZ drejt përfundimit të afateve parazgjedhore |VIDEO
BKT
Lajme

KQZ drejt përfundimit të afateve parazgjedhore |VIDEO

Elmina Osmani / RTK

Përmbyllja e afateve të përgatitjeve para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare po shkon drejt fundit. Këtë të shtunë në mesnatë mbyllet afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

 “Votuesit që regjistrohen për të votuar nga jashtë vendit do ta gjejnë emrin e tyre vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës. Kjo është një detyrë ligjore, pasi emrat e këtyre qytetarëve duhet të largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës që shpërndahet në vendvotime ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Valmir Elezi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të dhënat e KQZ-së, tregojnë se deri më sot janë mbi 55 mijë e 600 aplikime për votim nga jashtë, prej të cilave rreth 48 mijë e 600 janë aprovuar dhe mbi 6 mijë e 400 janë refuzuar. Në vlerësim janë rreth 500 aplikime. Shumica e qytetarëve, rreth 35 mijë, janë regjistruar për të votuar përmes postës.

Ndërkohë, të dielën në orën 24:00 përfundon edhe afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë.

Elezi konfirmoi se deri më 7 dhjetor, subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim duhet të ngarkojnë listat e tyre përmes platformës elektronike.

“Pas dorëzimit, KQZ-ja, në bashkëpunim me disa institucione shtetërore, do të verifikojë secilin kandidat nëse është në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ky nen ndalon kandidimin e personave që mbajnë funksione të caktuara publike apo zgjedhore, si dhe atyre që kanë dënime të formës së prerë me së paku një vit burgim efektiv brenda tre viteve të fundit”, ka thënë Elezi.

Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim pritet të hidhet më 8 dhjetor.


MË SHUME NGA Lajme