Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon më 24 shkurt 2026
BKT
Gjykata Speciale

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon më 24 shkurt 2026

M.P. /RTKlive

Gjykimi në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve (administrimi i drejtësisë) do të nisë më 24 shkurt 2026, njofton Specialja.

“Më 4 dhjetor 2025, Gjyqtari i Vetëm i Gjykatës së Lartë caktoi fillimin e gjykimit në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajit, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për të martën, më 24 shkurt 2026. Sipas urdhrit, çështja kryesore e Prokurorisë Speciale, gjatë së cilës pritet të thirren tre dëshmitarë, duhet të zhvillohet në një bllok të vetëm deri më 6 mars 2026”, thuhet në njoftimin në ueb-faqen e tyre.

Para dy ditësh u bë e ditur vazhdimi i paraburgimit për Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun.

“Gjykatësi i rastit, Gosnell konstatoi se ekziston rreziku real që të akuzuarit, nëse do të liroheshin, mund të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra penale të tjera", thuhej në njoftimin e tyre.

Pas konfirmimit të Aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë më 6 dhjetor 2024. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë.

Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen në formë të shkruar deri më 7 janar 2025. Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar ndërsa u bë publike më 14 janar 2025.

Më 11 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, Kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm në gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për Përgatitjen e Gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025 dhe gjykimi është caktuar të fillojë më 24 shkurt 2026.

 


MË SHUME NGA Gjykata Speciale