Gërvalla:RTK e përkushtuar t’i sjellë publikut moment historik të botërorit
BKT
Sport

Gërvalla:RTK e përkushtuar t’i sjellë publikut moment historik të botërorit

K.K|RTKLive

Drejtori i televizionit në Radiotelevizionin e Kosovës, Rilind Gërvalla, ka deklaruar se sigurimi i të drejtave ekskluzive për transmetimin e Kampionatit Botëror të Futbollit 2026 është një arritje e rëndësishme për Transmetuesin Publik.

Gërvalla tha në edicionin e Lajmeve Qendrore në RTK se pas ndeshjeve dhe fitoreve të përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë, është ndier detyrë të fillojë menjëherë një proces hulumtimi përmes Telekomit të Kosovës, i cili çoi në arritjen e marrëveshjes për të drejtat e transmetimit.

“Pas fitoreve të të dy përfaqësueseve, ne u ndjemë të obliguar që menjëherë të fillonim hulumtimin për të siguruar të drejtat. Përmes bashkëpunimit me Telekomin e Kosovës, brenda pak muajsh arritëm marrëveshjen që RTK t’i ketë ekskluzivisht të drejtat e transmetimit të Botërorit 2026”, tha Gërvalla.

Ai shtoi se beson shumë në gjasat reale të të dyja përfaqësueseve për t’u kualifikuar, me ndeshjet vendimtare që do të zhvillohen në janar kundër Sllovakisë dhe Polonisë.

“Kjo tregon përkushtimin e RTK-së për t’i sjellë publikut një moment të rëndësishëm e historik që do të mbahet në SHBA, në Meksikë dhe Kanada”, shtoi ai.

RTK edhe më herët i ka pasur të drejtat e Botërorit, por këtë herë veçantia qëndron te bashkëpunimi me Telekomin e Kosovës. Pjesa më e madhe e kostos do të mbulohet nga Telekomi, ndërsa RTK do të ketë në përgjegjësi riprodhimin, komentimin dhe transmetimin e të gjitha ndeshjeve.

Sipas Gërvallës, ky model bashkëpunimi është i rëndësishëm sepse forcon dy institucionet publike dhe krijon bazë që partneriteti të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke fuqizuar Telekomin dhe duke e bërë RTK-në lidere të mediave në vend.