Shpërthimi në Ibër-Lepenc, aktakuza hap drejt drejtësisë dhe sigurisë
BKT
Në Fokus

Shpërthimi në Ibër-Lepenc, aktakuza hap drejt drejtësisë dhe sigurisë

E.Hoti/RTKlive

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit. Analistët në "RTK Prime" e kanë mirëpritur aktakuzën si një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë dhe forcimit të sigurisë, duke theksuar se hetimet e thelluara, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare dhe mbledhja e provave konkrete tregojnë se drejtësia në Kosovë po funksionon edhe në rastet më komplekse dhe të ndërlikuara.

Politologu Dorajet Imeri, në emisionin “RTK Prime” në RTK, ka theksuar se ngritja e aktakuzës është fjala e parë e drejtësisë dhe se tani pritet që institucionet e tjera të drejtësisë ta konfirmojnë dhe të nxjerrin vendimin meritor. Ai ka shtuar se ngjarja ka përfshirë institucione ndërkombëtare, përfshirë FBI-në, duke vlerësuar seriozisht përgatitjen dhe efektivitetin e hetimeve.

Imeri ka nënvizuar gjithashtu se, qëllimi i këtij sulmi ka qenë i dyfishtë: së pari, për të destabilizuar veriun e Kosovës, gjë që nuk u arrit për shkak të veprimeve të ndërmarra dhe të vrasjes së policit Afrim Bunjaku dhe së dyti, për të goditur infrastrukturën jetike të vendit.

Sadik Zeqiri, analist, ka deklaruar se veprimi në kanalin Ibër-Lepenc ishte i planifikuar nga profesionistë dhe se hetimet e prokurorisë dhe policisë, si dhe hetimet ndërkombëtare, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarit.

“Shpërthimi ishte pjesë e një plani më të gjerë, i përgatitur nga KOS-i dhe ushtria serbe, me përfshirje të shërbimeve sekrete”, ka shtuar Zeqiri.

Zeqiri ka vënë në dukje se ndërhyrja e FBI-së dhe bashkëpunimi me hetuesit vendas ka qenë vendimtar për arritjen e rezultateve, duke bërë të mundur arrestimin e autorëve dhe ndalimin e veprimeve të tjera të mundshme. Sipas tij, aktakuza nuk duhet të hidhet poshtë, por duhet të mbështetet në fakte të forta dhe prova të mbledhura gjatë hetimeve.

Fatime Hajdari, analiste, ka shtuar se ngritja e aktakuzës dërgon një mesazh të qartë se sistemi i drejtësisë në Kosovë funksionon dhe çdo sulm ndaj vendit ose qytetarëve do të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

Ajo ka theksuar se, pavarësisht fatkeqësive dhe sulmeve të organizuara, qytetarët duhet të jenë të sigurt se autorët e veprave penale nuk do të mbeten pa u ndëshkuar, siç ka ndodhur edhe në rastet e mëparshme, si sulmi në Banjskë 

Ngjarja e Ibër-Lepencit, sipas analistëve, është një akt sabotazhi dhe sulm serioz ndaj sigurisë kombëtare dhe infrastrukturës jetike, dhe ngritja e aktakuzës shënon një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë dhe ndëshkimit të autorëve.

Hetimet e thelluara, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare dhe mbledhja e provave konkrete janë tregues se drejtësia në Kosovë po funksionon edhe në rastet më të ndërlikuara.


MË SHUME NGA Në Fokus