Kurti: Kosova drejt një shteti më të drejtë dhe të përgjegjshëm
BKT
Lajme

Kurti: Kosova drejt një shteti më të drejtë dhe të përgjegjshëm

Sh.Ç|RTKlive

Në Javën Kundër Korrupsionit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka riafirmuar angazhimin e tij dhe të qeverisë për një shtet të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm, duke theksuar se ligji duhet të jetë mbi interesat personale dhe e vërteta mbi privilegjet.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se lufta kundër korrupsionit është një detyrë e përditshme dhe një betim ndaj shoqërisë dhe brezave që vijnë.

Ai bëri thirrje për një shtet të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm, ku ligji është mbi interesat personale dhe e vërteta mbi privilegjet.

“Le të vazhdojmë së bashku, me vendosmëri dhe integritet, rrugën e reformave që e bëjnë Kosovën më të drejtë, më të pastër dhe më të besueshme”, ka shkruar Kurti në Facebook, duke shpërndarë edhe një video ku flet më gjerësisht mbi këtë temë.

Kurti, në adresimin e tij ka thënë se gjatë qeverisjes së tij afro 5-vjeçare janë shkatërruar 146 grupe kriminale, janë arrestuar 350 zyrtarë publikë e janë konfiskuar 6.7 ton drogë. 

Sipas tij, janë shkatërruar 23 laboratorë të drogës, prej tyre 13 në veri të vendit. Po ashtu tha se janë ndalur veprat super korruptive të qeverisjeve të kaluara. 

Kurti ka thënë se në me luftën e tij kundër korrupsionit është rritur edhe ekonomia e është zvogëluar papunësia nga 26 për qind në më pak se 11 për qind. 

Ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese për bllokim të reformave.

“Rezultatet do të ishin më të mira po të mos bllokohej reforma antikorrupsion nga Gjykata Kushtetuese, sidomos byroja shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Por, siç e thotë populli kjo vetëm vonim se shpëtim nuk ka”, theksoi Kurti. 

Kurti ka thënë se për qeverinë e tij lufta kundër korrupsionit është detyrë e përditshme. 

“Dikur kishim shumë korrupsion e më pak zhurmë për prezencën e tij. Ai nuk luftohej sepse shteti ishte i kapur. Sot kur ekonomia e buxheti i shtetit është shtuar me miliarda, kur janë luftuar e larguar abuzuesit e homologimeve, asfaltimeve e terminaleve, duke kursyer qindra miliona, ka ngelur, vetëm zhurma. E më të zhurmshmit janë ata që kanë humbur më së shumti”, theksi Kurti. 

 


MË SHUME NGA Lajme