Mungon Rozeta Hajdari, gjykimi për rezervat shtyhet më 13 janar
RTKlive
(E plotësuar) Seanca fillestare ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “rezervat shtetërore” ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke u shtyrë për 13 janar 2026, për shkak të mungesës së ministres në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe të avokatit të të akuzuarit Irfan Lipovica.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, njoftoi se Hajdarit i është dërguar ftesa zyrtare për pjesëmarrje, mirëpo gjykata ende nuk ka marrë konfirmim nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt. Për shkak të këtyre mungesave, gjykimi nuk mundi të nisë sipas parashikimit.
Ndërkohë, të pranishëm në sallë ishin tre të akuzuarit tjerë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Të katërt akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe procedura tjera të lidhura me menaxhimin e rezervave shtetërore, rast në të cilin Prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës prej afër 3 milionë euro.
Trupi gjykues përsëriti se para se të nisë shqyrtimi fillestar, prania e të gjithë të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre është e domosdoshme. Për këtë arsye, seanca u ricaktua për 13 janar 2026, ku pritet të hapet procesi i plotë gjyqësor.
Rozeta Hajdari del sot para gjyqit për rastin e rezervave shtetërore
Sot në orën 09:30 do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe tre të tjerëve: Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me akuzat për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor, ku Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbardhje të fshehtësisë zyrtare”.
Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria thotë se veprimet e të pandehurve kanë shkaktuar një dëm prej 2,912,134.78 euro ndaj buxhetit të shtetit.
“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, ata me dashje ia kanë vënë këtë informacion në dispozicion të një afaristi”, thuhet në aktakuzë.
Hajdari ka reaguar duke thënë se blerjet janë bërë sipas ligjit.
Ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, u arrestuan në gusht 2023, pas publikimit të audio-incizimeve që sugjeronin se disa rezervat, përfshirë vajin dhe grurin, nuk kishin arritur kurrë në Kosovë. Po ashtu, u arrestua edhe afaristi Ridvan Muharremi.























