Demokracia në fokus të artit: Hapet ekspozita e PIPF 2025 në Tetovë
RTKlive
Në Galerinë e Arteve në Tetovë, të enjten orën 18:00, hapet ekspozita zyrtare e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2025” (PIPF), ku këtë vit marrin pjesë dizajnerë dhe artistë nga 38 vende të botës.
Gjatë ceremonisë së hapjes, sipas njoftimit për medie, do të shpallen fituesi i parë dhe i dytë, në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale, ndërsa festivali do të ndajë edhe çmime speciale për pjesëmarrës të tjerë me kontribuim të veçantë artistik.
Organizatorët njoftojnë se me këtë ekspozitë përmbyllet edhe edicioni i pestë i festivalit, duke shprehur mirënjohje për ekipin organizativ, jurinë ndërkombëtare, para-jurinë, si dhe institucionet kulturore që mundësuan hapjen e hapësirave ekspozuese në kuadër të PIPF 2025.
Tema qendrore e këtij viti, “Demokracia”, e kthen festivalin në një hapësirë ndërkombëtare dialogu përmes artit vizual. Posterët e edicionit 2025 eksplorojnë mënyrën se si demokracia jetohet, sfidohet dhe riformësohet, veçanërisht në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, ku tranzicioni politik, kujtesa kolektive dhe aspiratat evropiane vazhdojnë të formësojnë peizazhin shoqëror.
Ekspozita paraqet punime të artistëve, dizajnerëve, studentëve dhe aktivistëve nga e gjithë bota, të cilët adresojnë tema si: pjesëmarrja qytetare; liria e medias; korrupsioni; identiteti dhe përkatësia; kujtesa kolektive dhe; shpresa dhe transformimi shoqëror.
Posterët e prezantuar ndërtojnë një tablo të gjallë të një rajoni që ndodhet në dialog të vazhdueshëm me vetveten dhe botën, duke e vënë në pah si sfidat, ashtu edhe energjinë transformuese të proceseve demokratike.
Në një periudhë ku vlerat demokratike përballen me presione globale, “Prishtina 2025” e afirmon posterin si medium të mendimit kritik, rezistencës vizuale dhe angazhimit qytetar. Ekspozita rivendos rolin e artit si mjet reflektimi dhe imagjinimi kolektiv, thuhet në fund të njoftimit për medie.























