Përmblidhet në një botim vepra e Martin Camajt
atsh
Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u promovua vepra e plotë në një vëllim të vetëm e Martin Camajt.
Folklorist, gjuhëtar, poet dhe shkrimtar, Martin Camaj mbetet një figurë e pazëvendësueshme e modernizmit shqiptar. Promovimi i këtij botimi të ri u zhvillua me pjesëmarrjen e akademikut Francesco Altimari, profesorit Anton Berishës, akademikut Matteo Mandalàs dhe botuesit Bujar Hudhri. Gjatë aktivitetit u mbajt një dialog i çmuar mbi trashëgiminë e Camajt, e cila përfshin fusha të ndryshme studimi si letërsia, gjuhësia, antropologjia dhe folklori.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Majlinda Toçi theksoi misionin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për ruajtjen dhe rikthimin e autorëve që kanë formësuar kulturën e shkruar shqiptare, si dhe rëndësinë e studimit të thelluar të veprës së tyre nga emra të njohur të shkencës dhe kritikës letrare.
Profesorët e nderuar Altimari dhe Mandalà ndodhen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të “Urdhrit të Skënderbeut”, nderim me të cilin janë dekoruar nga presidenti Bajram Begaj – një vlerësim simbolik që përfaqëson flamurin, virtytin dhe dijen.
Martin Camaj, i lindur njëqind vjet më parë në Temal të Dukagjinit, është një ndër shkrimtarët e censuruar gjatë periudhës totalitare. Krijimtaria e tij letrare përfshin nëntë vëllime poetike, tre romane dhe një vëllim me novela. Disa prej veprave të tij më të njohura janë: Nji fyell ndër male (Prishtinë, 1953), Kanga e vërrinit (Prishtinë, 1954), Djella (Romë, 1958), Legjenda (Romë, 1964), Lirika mes dy moteve (Munih, 1967) dhe Drandja (Munih, 1981).
Ai ndërroi jetë më 12 mars 1992, në Mynih.























