Policia e Kosovës: Përfundon me sukses ushtrimi me Ambasadën amerikane
N.M. /RTKlive
(E plotësuar) Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët në shkallë të gjerë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë është zhvilluar me sukses të plotë. Ushtrimi u mbajt në zonën e Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria, dhe kishte për qëllim vlerësimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese dhe përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional në raste krizash dhe emergjencash.
Gjatë ushtrimit, i cili u trajtua me seriozitet të lartë nga Policia e Kosovës, u angazhuan rreth 790 zyrtarë policorë të profileve të ndryshme. Në kuadër të aktivitetit u demonstrua funksionimi efektiv i mekanizmave të komunikimit, reagimi i shpejtë operacional si dhe bashkëveprimi i ngushtë mes zyrtarëve të PK-së dhe personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane. Skenarët e simuluar përfshinë përdorimin e mjeteve të specializuara, testimin e procedurave operative dhe menaxhimin e situatave të ndryshme të krizës.
Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u realizua pa asnjë incident. Policia e Kosovës vlerësoi lart performancën e të gjitha departamenteve, drejtorive dhe njësive policore të përfshira, duke falënderuar njëkohësisht qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për mirëkuptimin e treguar gjatë ndërprerjeve dhe riorientimeve të përkohshme të qarkullimit.
Sipas Policisë së Kosovës, ky ushtrim konfirmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën Amerikane dhe institucionet e tjera relevante, me synim garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët, institucionet dhe stafin diplomatik në Republikën e Kosovës.
Policia e Kosovës, thotë se mbetet e përkushtuar në rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe organizimin e aktiviteteve të ngjashme edhe në të ardhmen, në funksion të sigurisë së përgjithshme.
Përfundon ushtrimi i përbashkët mes Policisë dhe Ambasadës amerikane
Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se ka përfunduar ushtrimi i përbashkët mes tyre dhe Policisë së Kosovës.
Bëhet e ditur se ushtrimi kishte për qëllim të përforcojë gatishmërinë për reagim në rast të incidenteve të mundshme. Ambasada amerikane ka falënderuar qytetarët.
“Tashmë ka përfunduar ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizës i realizuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe Policia e Kosovës. Faleminderit!”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.
Nis ushtrimi i përbashkët i Policisë me Ambasadën amerikane në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur zbatimi i ushtrimit të përbashkët me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, i cili është planifikuar të zhvillohet sot nga ora 15:00 deri në 21:00.
Ky ushtrim po realizohet sipas skenarëve të paracaktuar, ndërsa në bazë të nevojës do të angazhohen njësi të ndryshme policore – nga ato patrulluese të rendit publik, njësitë e reagimit të shpejtë, e deri te njësitë elitare speciale. Gjatë aktivitetit do të përdoren pajisje dhe mjete të ndryshme logjistike, varësisht nga situatat operative të simuluara, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka kërkuar bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët, sidomos nga pjesëmarrësit në trafik, duke bërë thirrje që të shmanget qarkullimi në zonën përreth Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria. Për shkak të ushtrimit, disa segmente rrugore do të jenë të mbyllura përkohësisht.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të publikojë informacione të tjera në faqet e saj zyrtare për ecurinë e ushtrimit.























