`Krishtlindjet e humbura` në teatrin Metropol
BKT
Kulturë

`Krishtlindjet e humbura` në teatrin Metropol

atsh

Në teatrin Metropol u vu në skenë fundjavën e shkuar shfaqja interaktive për fëmijë, “Krishtlindjet e humbura”.

Fëmijët ndoqën aventurën magjike të Anës dhe Kristës, dy vajzave që zbulojnë se atmosfera e Krishtlindjes në qytetin e tyre është zhdukur papritur: dritat janë fikur, këngët kanë heshtur dhe gëzimi është tretur sikur kurrë s’ka ekzistuar.

Udhëtimi i dy vajzave nis mes pyjeve të humbura, personazheve të çuditshëm dhe takimeve plot dritë, ku çdo hap u mëson se magjia fshihet në zemrat e njerëzve. Një zë misterioz i zbulon Anës dhe Kristës se, festën mund ta rikthejnë vetëm duke gjetur tre elemente: dashurinë, mirësinë dhe besimin.

Shfaqja në Metropol ndërthur dialogun, muzikën dhe ndërveprimin me publikun, duke ftuar fëmijët të bëhen pjesë e aventurës. Në përfundim misteri i Krishtlindjeve zgjidhet me ndihmën e dikujt që askush s’e pret.

Shfaqja do të rikthehet për vogëlushët edhe në fundjavën e ardhshme, më 20 dhe 21 dhjetor.


MË SHUME NGA Kulturë