Bilanci psikologjik i fundvitit dhe rëndësia e vetëreflektimit
Sh.G|RTKlive
Në programin e mëngjesit në RTK, e ftuar ishte psikologia Lumnije Telaku, e cila foli për rëndësinë e bilancit psikologjik në fundvit dhe mënyrën se si individët mund ta analizojnë vitin që po lënë pas.
Sipas Telakut, periudha e fundvitit krijon një mundësi për reflektim dhe përmbledhje të përvojave vjetore. Ajo theksoi se njerëzit zakonisht i drejtojnë vetes pyetje si: çfarë kam arritur gjatë këtij viti, a i kam përmbushur objektivat që i kam vendosur vetes dhe çfarë përparimesh kam pasur, qoftë në aspektin profesional apo personal.
Psikologia shtoi se është e rëndësishme që individët të ndalen edhe te sfidat, streset dhe dështimet që kanë hasur gjatë vitit, për të kuptuar nëse gjithçka ka funksionuar sipas planifikimit dhe pritshmërive të tyre.
“Njerëzit janë të prirur të paragjykojnë veten, të gjejnë gabime dhe të mos fokusohen te e tashmja, duke mos e analizuar situatën në mënyrë të vetëdijshme, por gjithmonë duke e kritikuar dhe gjykuar veten,” tha Telaku.
Ajo përfundoi duke theksuar se një bilanc i shëndetshëm psikologjik në fundvit ndihmon individët të reflektojnë më qartë mbi përvojat e tyre dhe të hyjnë në vitin e ri me më shumë vetëdije dhe mirëqenie emocionale.























