Gërvalla: Filantropia amerikane - rol kyç në ruajtjen e vlerave tona
RTKlive
Drejtori i televizionit në Radiotelevizionin e Kosovës, Rilind Gërvalla, ka vlerësuar lart rolin dhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Ai thotë se në historinë e Kosovës, veçanërisht në periudhat më të ndjeshme të saj, mbështetja e miqve ndërkombëtarë ka qenë jo vetëm e rëndësishme, por shpesh vendimtare. Ndër këta miq, thotë ai, filantropët amerikanë zënë një vend të veçantë, njerëz që kanë zgjedhur ta njohin Kosovën jo përmes interesit, por përmes vlerave.
Në një postim në Facebook, Gërvalla ka veçuar filantropin amerikan Benito Mares nga Colorado, duke e cilësuar atë si mik të dëshmuar të shqiptarëve dhe kontribuues të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike. “Ai ka zgjedhur ta njohë Kosovën jo përmes interesit, por përmes vlerave”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas tij, Mares ka investuar në projekte dhe memoriale që ruajnë dinjitetin kombëtar, përfshirë Memorialin e Dëshmorëve në Marinë, të cilin Gërvalla e përshkruan si “një vepër që flet më shumë se fjalët për respektin ndaj sakrificës për liri”.
Gërvalla ka bërë të ditur se këtë vit kontributi i filantropit amerikan është shtrirë edhe në fushën e kulturës, përmes mbështetjes së Festivalit të Këngës në RTK. “Filantropia e vërtetë nuk njeh kufij sektorialë: ajo mbështet kujtesën, artin, kulturën dhe identitetin”, ka theksuar ai.
Ai ka nënvizuar se ajo që i dallon filantropët e tillë është mënyra e të dhënit pa zhurmë dhe pa kushte. “Ata besojnë se vlera e një vepre qëndron në ndikimin e saj, jo në reklamën që e shoqëron”, ka shkruar Gërvalla.
Në fund, drejtori i televizionit në RTK ka ritheksuar se bashkëpunimet me miqtë e Kosovës dhe përkrahësit e vlerave kulturore do të vazhdojnë. “E vërteta, kultura dhe përkushtimi nuk kanë pengesë që i ndal. Filantropia e heshtur, por e qëndrueshme, mbetet një nga shtyllat më të forta të ndërtimit të shoqërisë sonë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.























