Në Gjakovë diskutohet potenciali i trashëgimisë kulturore për turizmin
BKT
Kulturë

Në Gjakovë diskutohet potenciali i trashëgimisë kulturore për turizmin

RTKlive

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka organizuar konferencën tradicionale të fundvitit me temën “Trashëgimia Kulturore dhe Turizmi – potencialet dhe sfidat”, e cila këtë vit është mbajtur në qytetin e Gjakovës.

Konferenca ka mbledhur akterë të rëndësishëm nga fusha e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, përfaqësues institucionesh, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë diskutuar mbi mënyrat se si trashëgimia kulturore mund të shndërrohet në një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, duke ruajtur njëkohësisht autenticitetin dhe vlerat e saj themelore.

Konferenca është hapur me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Artan Krasniqi, i cili ka theksuar se trashëgimia kulturore përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit në Kosovë, por njëkohësisht paraqet edhe sfida që kërkojnë vizion, përkushtim dhe bashkëpunim ndërinstitucional.

Ai ka vënë në pah rëndësinë e ripotencimit të vlerave kulturore dhe nevojën për reflektim të sinqertë mbi mënyrën se si këto pasuri u ofrohen vizitorëve. Krasniqi ka theksuar pasurinë e Kosovës në aspekte si trashëgimia arkeologjike, qytetet historike, kullat tradicionale, trashëgimia fetare, toleranca ndërkulturore, peizazhet natyrore, muzetë, traditat, festivalet, artizanatet dhe gastronomia, duke i cilësuar ato si bazë solide për zhvillimin e turizmit kulturor.

Folesja kryesore e konferencës ka qenë Celia Martínez Yánez, zëvendëspresidente e ICOMOS ICTC, e cila ka prezantuar Kartën Ndërkombëtare të ICOMOS-it për Turizmin e Trashëgimisë Kulturore 2022, duke u ndalur në konceptet bashkëkohore dhe mundësitë konkrete për zbatim praktik në menaxhimin e turizmit të trashëgimisë kulturore.Në panelin e parë, drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë, Visar Haxhibeqiri, ka prezantuar temën “Trashëgimia Kulturore dhe Turizmi në Gjakovë – një reflektim i shkurtër”, ndërsa profesoresha Arbnora Dushi, me prezantimin “Kur trashëgimia frymon, turizmi lulëzon”, ka theksuar rolin e trashëgimisë kulturore në fuqizimin e komunitetit lokal dhe zhvillimin turistik.

Në sesionin e pasdites, përfaqësueset e organizatës ChWB, Arbenita Gashi Kurti dhe Erza Shala, kanë prezantuar Planin Master për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, si shembull i planifikimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes afatgjatë të trashëgimisë kulturore.

Në vijim, drejtori i Guide KS, Muamer Hasani, ka folur për turizmin si promotor të rëndësishëm të imazhit të Kosovës, ndërsa Endrit Temaj ka trajtuar ndërlidhjen e trashëgimisë kulturore me sektorin e turizmit, me fokus në rajonin e Gjakovës. Prezantimi i Shqipe Mulës mbi shndërrimin e shtëpive tradicionale në bujtina ka sjellë shembuj konkretë të ruajtjes së identitetit kulturor përmes turizmit familjar dhe autentik.

Konferenca është përmbyllur me diskutime dhe rekomandime konkrete, duke riafirmuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, ekspertëve dhe komuniteteve lokale, me synimin që trashëgimia kulturore e Kosovës të promovohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të shndërrohet në një burim zhvillimi, krenarie dhe frymëzimi për të ardhmen.


MË SHUME NGA Kulturë