‘Dritën e pret mision i vështirë, por jo i pamundur’
BKT
Sport

‘Dritën e pret mision i vështirë, por jo i pamundur’

F.B/RTKLive

Kampionia e Kosovës, Drita, sonte zbret në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj evropiane.

Skuadra nga Gjilani do të përballet në udhëtim me Rayo Vallecanon, në Madrid, në kuadër të xhiros së fundit të fazës së ligës në Ligën e Konferencës, sfidë që nis në orën 21:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Përballja vlerësohet si një sfidë shumë e vështirë për kampionen e Kosovës, por jo e pamundur. Kështu u shprehën analistët e RTK-së, Arbnor Morina dhe Genc Sermaxhaj, në emisionin special kushtuar Ligës së Konferencës, ku u analizuan gjasat dhe rëndësia e këtij dueli vendimtar.

Trajneri i njohur kosovar, Arbnor Morina, theksoi se ndeshja ka peshë të madhe për të dyja skuadrat, duke e cilësuar Rayo Vallecanon si favorit, për shkak të nivelit që ka treguar në La Liga.

“Drita po ndeshet me njërën nga skuadrat më të mira të La Ligës dhe kjo është një ndeshje shumë domethënëse për të dy ekipet. Drita e ka shansin e saj, por është e qartë se Vallecano është favorit dhe gjatë gjithë javës ka qenë i fokusuar maksimalisht në këtë ndeshje,” u shpreh Morina.

Ai vlerësoi gjithashtu paraqitjet e Dritës në këtë sezon evropian, duke theksuar se pavarësisht rezultatit të sontëm, përfaqësimi ka qenë dinjitoz.

“Të gjithë jemi të kënaqur me paraqitjen e Dritës këtë sezon. Shpresojmë që skuadra ta bëjë edhe hapin e fundit për të kaluar tutje, por edhe nëse nuk ia del, Drita e ka përfaqësuar shumë mirë futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare,” shtoi Morina.

Sfidë e vështirë parashihet edhe nga ish-futbollisti i njohur kosovar, Genc Sermaxhaj, i cili e sheh këtë duel si një test të rëndësishëm për forcën reale të Dritës ndaj ekipeve të mëdha evropiane.

“Katër ndeshjet e para kanë qenë në nivel të ngjashëm me Dritën, ndërsa dy të fundit, ajo ndaj AZ Alkmaarit dhe Vallecanos, janë përballje me skuadra shumë më të forta. Këto ndeshje na tregojnë nivelin e vërtetë të Dritës,” theksoi Sermaxhaj.

Sipas tij, Rayo Vallecano është një kundërshtar shumë i rrezikshëm, që luan futboll të ngjashëm me Kombëtaren e Spanjës.

“E dimë se kundërshtari është shumë i fortë dhe luan futboll modern, me posedim dhe intensitet të lartë. Drita sonte duhet të jetë shumë vigjilente dhe e përqendruar, sidomos në minutat e para, sepse është e rëndësishme të mos pësojë gol herët,” përfundoi ai.

Sfida mes Rayo Vallecanos dhe Dritës nis sonte në orën 21:00.