Një natë kujtese dhe emocionesh në Festivalin e 64-të të Këngës
RTKLive
Nata e tretë e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH nuk ishte thjesht një garë muzikore, por një festë e madhe e kujtesës kolektive. Skena e Pallatit të Kongreseve u shndërrua në një makinë kohe, ku hitet e pavdekshme u rikthyen të riorkestruara, duke bërë që publiku të këndojë e të kërcejë nën ritmet e këngëve që kanë formësuar identitetin muzikor shqiptar.
Artistët konkurrentë u ngjitën në skenë përkrah ikonave të muzikës shqiptare si Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa, Elton Deda, Sidrit Bejleri, Jonida Maliqi, Kastriot Tusha, Vikena Kamenica e shumë të tjerë, duke krijuar një urë të fuqishme lidhëse mes brezave.
Një nga momentet më kulmore të mbrëmjes ishte fjala e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së, Eni Vasili, e cila e cilësoi Festivalin e Këngës si një shtyllë të identitetit kulturor shqiptar, që ka mbijetuar përtej sistemeve politike dhe ndryshimeve historike.
“Ndoshta në këtë festival ka ndodhur ajo që politika do të kishte dashur shumë ta realizonte: shqiptarët nga e gjithë bota të mblidheshin në Tiranë, në qendrën e shqiptarisë. Ky festival do të jetojë gjatë,” u shpreh Vasili, transmeton RTSH.
Ajo solli në vëmendje vitin e largët 1972 dhe vitet ’90, duke theksuar se kjo skenë ka qenë gjithmonë pasqyra e dëshirës së shqiptarëve për t’u ndjerë pjesë e Europës.
“Këtu ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur askund tjetër: shqiptarët janë bashkuar. Nga të gjitha trevat kanë ardhur, kanë kënduar, kanë garuar dhe kanë qenë bashkë,” theksoi Drejtoresha e RTSH-së, duke falënderuar edhe “armatën” e njerëzve që e kanë mbajtur gjallë këtë institucion për 64 vite.
Ndryshe nga vitet e tjera, Çmimi i Karrierës këtë edicion nuk iu dha një individi, por një organizmi të tërë: Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Eni Vasili e cilësoi orkestrën si “xhevahirin në kurorën e çdo festivali”, pa të cilën ky event nuk do të ishte i mundur.
Çmimi u tërhoq nga drejtoresha e Orkestrës, Blerta Ristani, e cila u shpreh:
“Jam tejet e nderuar në emër të 65 muzikantëve. Ata bëjnë profesionin më të bukur në botë. Kjo është magjia e të bërit muzikë së bashku.”
Anëtarët e jurisë, Zef Çoba dhe Valentin Veizi, vlerësuan maksimalisht edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës. Kompozitori Çoba e cilësoi festivalin si “ngjarjen më të madhe artistike të vitit”, ndërsa Veizi, i rikthyer në këtë sallë pas 28 vitesh, shprehu bindjen se nga ky edicion do të lindin këngë që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut.
Nata e tretë shënoi edhe një moment vendimtar për garën. Nga 10 artistët debutues që performuan, juria përzgjodhi 5 më të mirët, të cilët siguruan biletën për në finalen e madhe.
Artistët e rinj që u kualifikuan janë:
Giti
Endri Kaçaçi
Saviana Vjerdha
Sheila Haxhiraj
Rigersa Loka
Tashmë, vëmendja është përqendruar te nata finale, ku do të shpallet fituesi i edicionit të 64-të të Festivalit të Këngës dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Evrovizion. Nata finale, sikurse netët tjera transmetohen edhe ne RTK. (RTSH)























